Aplikacion
Ndërsa na ndajnë vetëm 10 ditë nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka shpërndarë një audio-mesazh nga qelia për qytetarët shqiptarë, duke e cilësuar këtë betejë elektorale si historike dhe jetike për të ardhmen e vendit.
Meta shprehet se shqiptarët do të bashkohen si kurrë më parë për të “dërrmuar sektin më të pabesë që shpopulloi vendin”. Sipas tij, 11 maji është një datë kthese për fatin e Shqipërisë. “Edhe 10 ditë na ndajnë nga fitorja historike kur shqiptarët do të bashkohen në kutitë e votimit për të garantuar ekzistencën e kombit tonë dhe mbrojtjen e familjes shqiptare nga sekti më i rrezikshëm në botë i ‘Prindit 1 dhe Prindit 2’,” – deklaroi Meta.
Ai theksoi se programi i koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” është një plan konkret për mbështetjen e familjeve dhe pensionistëve shqiptarë, duke premtuar ndryshime të ndjeshme që në 100 ditët e para të qeverisjes. “Me votën tonë më 11 Maj arkivojmë klimën armiqësore ndaj biznesit dhe i japim vendit oksigjenin e munguar nga regjimi represiv dhe kleptokratik,” u shpreh Meta.
Në mesazhin e tij, Meta deklaroi se Partia e Lirisë ka një mision historik për të realizuar rotacionin më të rëndësishëm politik që nga viti 1992, duke sulmuar ashpër qeverinë aktuale dhe duke e quajtur “regjimi i kukullës së Sorosit”.
Mesazhi përmbyllet me një thirrje të fortë emocionale: “Me fjalët e poetit të pavdekshëm Havzi Nela: O Liri, o vdekje! Të vrapojmë drejt fitores së 11 Majit, që do t’i bashkojë shqiptarët si kurrë më parë rreth interesit kombëtar dhe së ardhmes europiane.”
Protesta për Zvërnecin shtrihet edhe në Kosovë, tubim para ambasadës shqiptare në Prishtinë