zoom

Lajme

”O hajdut”- Përplasja me protestuesit para Kuvendit, Ardit Bido: Po zëvendësojnë dialogun me britma e sharje

”O hajdut”- Përplasja me protestuesit para Kuvendit, Ardit Bido: Po zëvendësojnë dialogun me britma e sharje

Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, ka reaguar pas tensioneve të regjistruara një ditë më parë jashtë ambienteve të Kuvendit, ku u përball me një grup protestuesish të cilët iu drejtuan me fjalët “hajdut, hajdut”.

Sipas tij, ngjarja ka nisur në momentin kur ai ka dalë nga Kuvendi pas përfundimit të punimeve dhe është ndalur për të komunikuar me disa qytetarë të pranishëm, por situata ka ndryshuar shpejt me afrimin e një grupi më të madh personash.

Bido shprehet se ky grup ka nisur fyerjet, ndërsa sjellja e tyre, sipas tij, ka qenë agresive dhe e tensionuar.

“Ka dy lloj protestash… Teksa dje nga parlamenti, pas një dite të gjatë pune, për të shkuar drejt makinës sime, ndalova te disa protestues për të komunikuar normalisht. Më vonë erdhi një grumbull i madh agresiv me fyerje dhe dhunë verbale, që mund të shkonte edhe drejt dhunës fizike,” është shprehur ai.

Deputeti socialist ka deklaruar gjithashtu se kjo sjellje, sipas tij, është e papranueshme dhe nuk përfaqëson protestën qytetare, por grupe të nxitura politikisht.

Ai ka pretenduar se një pjesë e këtyre protestuesve mund të jenë të ndikuar nga parti të vogla ose nga Partia Demokratike, ndërsa ka theksuar se protesta duhet të mbetet brenda standardeve demokratike dhe pa gjuhë urrejtjeje.

Postimi i plotë:

Protesta qytetare nuk mund të rrëmbehet nga urrejtja!

Sot, duke dalë nga Kuvendi pas një dite të gjatë pune, po bisedoja me disa protestues. Papritur u grumbullua një grup i madh personash, të cilët erdhën dukshëm me një qëllim krejt tjetër nga ai i protestuesve qytetarë.

Aty pashë të përqendruar gjithë frymën e urrejtjes dhe intolerancës që prej ditësh ushqehet si nga tribuna e protestës, ashtu edhe në rrjetet sociale, kundër kujtdo që guxon të mendojë ndryshe.

Ky dëshpërim agresiv nuk ka asnjë lidhje me shqetësimin e sinqertë të qytetarëve që i dhanë jetë kësaj proteste për mbrojtjen e natyrës dhe me nevojën për të qenë më të kujdesshëm ndaj mjedisit.

Por ata që u shfaqën sot nuk kishin ardhur për natyrën. Ata kishin ardhur për të rrëmbyer një kauzë qytetare dhe për të zëvendësuar dialogun me britma e sharje, ndërsa mendimin ndryshe me sulme.

Kur një kauzë bie në duart e njerëzve që ushqehen me urrejtje, ajo humb qëllimin e saj. Dhe kjo është padrejtësia më e madhe që mund t’i bëhet vetë protestës.

Postime të lidhura