Aplikacion
Talenti kosovar, Edon Zhegrova, ka shfryrë ndaj drejtuesve të FFK-së, nëpërmjet një postimi në “Instagram”, pas vendimit të tyre për lënien jashtë të futbollistit të Lilës, për ndeshjet e nëntorit.
Për shkak të angazhimit me klubin e tij, ditën e diel, Zhegrova nuk ishte i disponueshëm për sfidën ndaj Izraelit, teksa në shenjë “hakmarrje” për mungesën e tij, drejtuesit zgjodhën të mos e ftonin në dy sfidat e radhës. Së fundmi, sulmuesi i “Dardanëve”, ka thyer heshtjen dhe ka folur për mosprezencën e tij në ndeshjen e fundit në përfaqësuese dhe për situatën e Kosovës. Ndër të tjera Zhegrova shkruan se nuk ka folur se nuk ka dashur të prishë harmoninë, ndërkohë që akuzon drejtuesit e FFK-së për intriga të bëra ndaj tij.
REAGIMI
“U rrita në Prishtinë me ëndrrën që një ditë do të luaj për Kombëtaren time. Edhe pse derisa e krijuam Kombëtaren e Kosovës, mua m’u ofruan shumë oferta, shumë joshje të jem diku tjetër, por për mua ishte vetëm një ëndërr, të luaj për atdheun tim, për Kosovën. Me muaj të tërë më kanë joshur të tjerët me lloj-lloj oferte, ndërsa për Kosovën kam vendosur për 1 minutë bisedë me të ndjerin Fadil Vokrri, sepse e kam dëgjuar zemrën.
Të dashur tifozë, ditët e fundit erdha në pikëpyetje të luaj apo të mos luaj nga njerëz brenda Kombëtares, ata që vendosin për fatin e Kosovës në forma individuale dhe asnjëherë zyrtare. Të them të vërtetën, shumë herë isha pengesë e disa personave në Kombëtare dhe thashethemet ishin drejtuar kundrejt meje shpesh, por nuk kam folur asnjëherë vetëm të mos e prishi harmoninë e Kombëtares, sepse Kombëtarja është mbi të gjitha, mbi intrigat e thashethemet e njerëzve amatorë kundrejt meje. Ndeshjen e fundit nuk pata mundësi të jem pjesë e Kosovës për arsye tashmë të njohura, pavarësisht dëshirës sime të madhe.
Ua kam bërë të ditur që për ndeshjet e tjera dua të jem aty ta ndihmoj Kombëtaren me vullnetin maksimal, por përgjigjja e tyre ishte: nëse nuk vjen këtë ndeshje, harroji edhe ndeshjet tjera, nuk po na duhesh. E çuditshme, sepse jam në formën më të mirë dhe dua të kontribuoj dhe të sakrifikoj gjithçka për Kombëtaren time. Njerëzit në kombëtare e dinë, që unë shpesh kam luajtur i lënduar dhe kam sakrifikuar edhe karrierën për fanellën e Kosovës.
Ndaj Rumanisë, kam ardhur, kam luajtur “me një këmbë”, dhe asnjëherë nuk jam ankuar sepse këtë e bëj për nderin e shtetit dhe popullit dhe jo për njerëzit injorantë që bëjnë kalkulime dhe nuk ia duan të mirën vendit! Shumë njerëz dhe dashamirës të mi më shkruan dhe më pyetën prandaj desha të jap këtë sqarim dhe asnjëherë nuk do të hesht ndaj padrejtësive”, shkruante Edon Zhegrova.