Aplikacion
Shoqatat e transportit publik kanë njoftuar reduktimin me 40% të numrit të mjeteve në qarkullim në Tiranë dhe në rrethe, duke nisur nga dita e sotme, 15 prill.
Vendimi vjen pas kërkesave të vazhdueshme për subvencione për përballimin e rritjes së çmimeve të karburantit, të cilat, sipas tyre, nuk kanë marrë përgjigje nga institucionet. Operatorët bëjnë me dije se, pavarësisht takimit të zhvilluar më 1 prill 2026, nuk është ndërmarrë asnjë masë konkrete mbështetëse.
Sipas shoqatave, mungon një skemë kompensimi për karburantin, nuk ka një plan veprimi për lehtësimin e kostove dhe nuk është dhënë asnjë afat për ndërhyrje. Gjithashtu, nuk ka nisur rishikimi i elementeve fiskale që ndikojnë në sektor, si akciza, TVSH-ja dhe taksa e qarkullimit.
Si pasojë e kësaj situate, operatorët deklarojnë se janë detyruar të ulin shërbimin për të përballuar kostot.
“Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban informojnë qytetarët se, pavarësisht problematikës së ngritur prej javësh dhe takimit të zhvilluar më datë 01.04.2026 me institucionet përgjegjëse, deri në këtë moment nuk është marrë asnjë masë konkrete mbështetëse për sektorin e transportit publik.
a) Nuk është miratuar asnjë skemë kompensimi për rritjen e çmimit të karburantit;
b) Nuk ka një plan veprimi për lehtësimin e barrës financiare;
c) Nuk është dhënë asnjë afat konkret për ndërhyrje;
d) Nuk ka nisur rishikimi i elementeve fiskale që ndikojnë në kostot operative.
Për pasojë, do të reduktojmë me 40% flotën e mjeteve në qarkullim, si një masë e detyruar për përballimin e situatës.
U bëjmë thirrje qytetarëve për mirëkuptim dhe të parashikojnë kohën e udhëtimit, pasi kjo situatë vjen si pasojë e mungesës së ndërhyrjes institucionale,” thuhet në njoftim.