zoom

Aktualitet

Arrin deri 60% reduktimi i autobusëve në rrethe, paralajmërim deri në pezullim të shërbimit

Arrin deri 60% reduktimi i autobusëve në rrethe, paralajmërim deri në pezullim të shërbimit

Përveç kryeqytetit, reduktimi i transportit publik ka vijuar ditën e sotme edhe në rrethe.

Kryetari i Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban Dashnor Memaj tha se sot numri i autobusëve në rrethet kryesore ku funksion transporti publik urban dhe interurban ka arritur deri në 60%.

Konkretisht sipas tij, në qytetin e Durrësit numri i autobusëve që ofrojnë shërbimin publik është reduktuar me 50%, në qytetin e Vlorës me 60%, në Berat me 60%, në Lushnjë me 50% dhe në Peshkopi me 40%.

Për sa i përket shërbimit të transportit ndërqytetas nëpërmjet linjave të furgonëve Memaj thotë se vijojnë me orare të reduktuara. Sipas tij ky shërbim prej kohësh gjendet në situatë të vështirë financiare nga rënia e numrit të pasagjerëve, një dukuri që është theksuar ndjeshëm pas pandemisë së Covid-19. Numri i pasagjerëve ndër vite është ulur deri 50%.

Kryetari i Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban Memaj thekson se shtrenjtimi i çmimit të naftës vështirosi edhe më tepër vijueshmërinë e shërbimit për rrethet. Ai thotë se shumë prej operatorëve në rrethe gjenden në presionin e pezullimit të shërbimit, deri në reagimin e institucioneve shtetërore për dhënie të kompensimit të naftës.

“Operatorët jo vetëm në rrethe, por edhe në Tiranë e kanë të vështirë të vijojnë normalisht shërbimin pa kompensim nga shteti, teksa çmimi i naftës është shtrenjtuar ndërsa numri i udhëtarëve ka rënë deri në 50%”, pohoi Memaj.

Sakaq që në orët e para të mëngjesit, pothuajse në të gjithë vendin është bllokuar lëvizja e qytetarëve me transportin publik.

Në Tiranë, në orët e para të mëngjesit, nga rreth 200 autobusë për afro 50 linja transporti, kanë operuar vetëm 115 prej tyre. Mungesa e mjeteve të transportit publik krijoi radhë të gjata dhe pritja në stacione, ku sipas qytetarëve sot koha e pritjes për të marrë këtë shërbim, ka qenë dyfish më e gjatë. Në rrethe sipas shoqatave të Transportit Publik, sot numri i mjeteve të reduktuara ka arritur deri në 60%.

Në total, në të gjithë vendin funksionojnë rreth 450 linja të rregullta të transportit publik, një shërbim që ofrohet nga 250 operatorë.

Postime të lidhura