Aplikacion
Grupi i “Demokratëve Euro-Atlantikë”, i drejtuar nga Lulzim Basha, ka reaguar pas raportimeve se zyrat e tyre janë mbyllur.
Në sqarimin zyrtar, Lulzim Basha thotë se bëhet fjalë për një zhvendosje organizative dhe jo për tërheqje nga jeta politike.
“Në lidhje me lajmet e publikuara sot nga media të ndryshme, dëshirojmë të sqarojmë opinionin publik dhe të përgënjeshtrojmë disa informacione të pasakta që po qarkullojnë. Për arsye organizative dhe me qëllim garantimin e mirëadministrimit të punës, jemi në proces ndryshimi të ambienteve ku do të zhvillohet aktiviteti ynë”, thuhet në reagim.
Grupi thekson se, pavarësisht humbjes në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, ku nuk morën asnjë mandat, nuk do të tërhiqen nga beteja politike dhe se angazhimi i tyre për rikthimin e Partisë Demokratike në drejtësi vijon.
“Në asnjë moment z. Basha nuk ka hequr, dhe nuk do të heqë dorë, nga përballja për legjitimitetin e Partisë Demokratike, qoftë në Gjykatën e Lartë, qoftë në Strasburg, nëse kjo do të jetë e nevojshme. Sepse padrejtësia nuk duhet të triumfojë në Shqipëri”, vijon më tej deklarata.