zoom

Aktualitet

Nuk është as Rusia e as Ukraina, ja cili shtet është furnizuesi më i madh i grurit në Shqipëri

Kur shpërtheu lufta në Ukrainë, tregtia globale e drithërave u trondit fort, duke nxitur frikën për mungesë furnizimesh në shumë vende, mes tyre edhe Shqipëria.

Në vendin tonë  lëkundja e tregut ndikoi sidmos  në rënien e importeve, por edhe në mënyrën se kush u bënë më vonë furnitorët kryesorë.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se importet e grurit pësuan rënie me 24 për qind gjatë 11 mujorit duke arritur në 222 mijë tonë nga 294 mijë që ishin në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas INSTAT tani Serbia renditet si furnizuesi më i madh i grurit në Shqipëri, e ndjekur nga Rusia e pastaj Ukraina.

Importet e grurit nga Serbia në 11 mujorin e vitit 2022 kanë pësuar rënie me 12%, por ajo gjithsesi ishte e para për volumet e importit, duke zënë vendin e Rusisë, thotë Insitituti i Statitistikave.

Sipas të dhënave, importet e drithërave nga Serbia arritën në 96 mijë ton dhe përbënin 43.3% të importeve totale të drithërave në këtë periudhë.

Ndërsa pas luftës,  importet e grurit nga Rusia kanë pësuar rënie të dukshme me 51%.

Nga ana tjetër lufta në Ukrainë ka nxitur prodhimin vendas.

Shumë fermerë mbollën drithëra nga frika e mungesës së furnizimeve dhe çmimeve të larta më të cilin gruri u shit në muajt e parë të luftës në tregjet ndërkombëtare.