zoom

Politikë

Një ditë pas Kuvendit ku “goditi” Berishën, Basha: Zgjodhëm të ardhmen

Një ditë pas mbledhjes së Kuvendit Kombëtar të PD-së, ku u morën disa vendime, një prej tyre përjashtimi i Berishës nga Këshilli dhe Kuvendi Kombëtar demokrat, kreu i PD-së Lulzim Basha ka përcjellë një mesazh në rrjete sociale, ku thotë se kanë zgjedhur të ardhmen.

“Çfarë ka ndodhur pas 9 shtatorit padiskutim po na ndryshon. Dhe ne sot zgjedhim që të na ndryshojë për mirë. Sepse si do të jetë Partia Demokratike sot, do të jetë Shqipëria nesër!
Ndaj edhe ky Kuvend zhvillohet si një akt i vetëdijshëm, i një përgjegjësie të lartë nga ana e Partisë Demokratike për një moment jetik, thelbësor dhe pa të dytë në historinë tonë që nga themelimi. Ne jemi partia e parë opozitare, partia e shpresës të shqiptarëve dhe pa asnjë diskutim na takon të jemi aty ku dhe Shqipërisë dhe shqiptarëve ju takon të jenë, te pozita e natyrshme në qytetërimin perëndimor. Ky Kuvend i jashtëzakonshëm mblidhet për të vendosur më qartë se kurrë dhe dua ta dëgjoj me shumë se kurrë nga delegatët: A do të zgjedhim të ardhmen? PO“, thotë Basha.

Në Kuvend, Basha tha se morën pjesë 5004 delegatëve, emrat e të cilëve u shpreh se do t’i bëjë publikë sot. Të pranishmit votuan përmes ngritjes së kartonëve jeshilë, duke miratuar një rezolutë e cila nuk njeh mbledhjen e Kuvendit Kombëtar nga Sali Berisha në 11 dhjetor. Po ashtu, u votua edhe një akt tjetër, i cili lë jashtë forumeve të partisë personat e lidhur me komunizmin dhe ata të shpallur non grata nga SHBA. Ky dokument u bë posaçërisht për Berishën, duke e përjashtuar kështu nga Këshilli dhe Kuvendi Kombëtar Demokrat, forume ku Berisha ishte anëtar për shkak të detyrës si ish kryeministër.

Ky Kuvend i PD-së u mbajt një javë pasi ish-kryetari Sali Berisha me mbështetës të tij mbajtën një tjetër Kuvend, ku deklaruan se kanë shkarkuar Bashën, sekretarin e përgjithshëm të PD-së dhe 3 nënkryetarët. Ndërkohë, dje paralelisht, u votua për referendumin për shkarkimin e Bashës nga detyra e kreut të PD-së, iniciativë e ndërmarrë kjo nga Berisha dhe Komisioni i Rithemelimit.