zoom

Aktualitet

Niveli i rrezikut mbetet i lartë/ Situata e zjarreve në vend, vatra aktive

Niveli i rrezikut mbetet i lartë/ Situata e zjarreve në vend, vatra aktive

Gjatë 24 orëve të fundit, vendi është përfshirë nga një numër i lartë vatrash zjarri, me 58 raste të raportuara në total, prej të cilave 57 janë neutralizuar me sukses, ndërsa vetëm një vijon të mbetet aktive.

Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, situata paraqitet si më poshtë:

  • Në qarkun e Lezhës, janë regjistruar 8 vatra zjarri, të cilat u shuan brenda disa orësh. Vatra e vetme ende aktive ndodhet në fshatin Markatomaj, në njësinë administrative Zejmen, bashkia Lezhë, ku një sipërfaqe pyjore me pisha dhe bimësi të përzier është përfshirë nga flakët. Në terren ndodhen 4 automjete zjarrfikëse dhe forcat vendore, të cilët kanë izoluar vatrën që në orët e para të mëngjesit, por për shkak të erës, disa trungje të djegura kanë tendencë të riaktivizohen herë pas here.
  • Në qarkun e Beratit u raportuan 5 vatra zjarri, të gjitha të neutralizuara.
  • Në qarkun e Gjirokastrës u shuan dy vatra zjarri të raportuara gjatë natës.
  • Në qarkun e Fierit, 8 vatra u shuan, shumica në zona me shkurre dhe bimësi.
  • Në Elbasan, tre vatra zjarri në fshatrat Petresh, Labinot Fushë dhe Kodër Bujaras u shuan pa pasoja të mëdha.
  • Në Tiranë, 12 vatra zjarri u raportuan në bashkitë Tiranë, Kavajë dhe Rrogozhinë. Të gjitha u shuan në kohë. Ndër to, një incident ndodhi në shtëpinë e fëmijëve “Zyber Hallulli”, ku një dhomë në katin e katërt u përfshi nga flakët, por fatmirësisht pati vetëm dëme materiale dhe zjarri u fik brenda pak minutash.
  • Në Durrës u regjistruan 5 vatra zjarri, të gjitha të izoluara me sukses.
  • Në qarqet Shkodër dhe Korçë, u raportuan nga dy vatra për secilin, ndërsa në Vlorë u regjistruan tre. Të gjitha këto raste u menaxhuan në kohë nga forcat në terren.

Si pasojë e flakëve, janë djegur rreth 32 hektarë sipërfaqe me bimësi, përfshirë lis, arra dhe rrënjë ulliri, duke sjellë dëme të konsiderueshme në mjedis dhe bujqësi.

Në përballimin e situatës janë angazhuar:

  • 85 automjete zjarrfikëse,
  • 557 forca operacionale,
  • një automjet zjarrfikës me 5 efektivë,
  • dhe një helikopter nga Forcat e Armatosura.

Sipas parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave, për ditën e sotme, niveli i rrezikut për zjarre është i lartë në qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë dhe Fier, ndërsa në pjesën tjetër të vendit parashikohet rrezik i moderuar.

Autoritetet i bëjnë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm gjatë këtyre ditëve të nxehta dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr. Në çdo rast nevoje, kërkohet bashkëpunimi me strukturat vendore të emergjencave. Të gjitha strukturat e Mbrojtjes Civile mbeten në gatishmëri të plotë.

Postime të lidhura