Aplikacion
Një 43-vjeçar shqiptar është vënë në pranga nga autoritetet italiane, pasi akuzohet për tentativë vrasjeje ndaj bashkëshortes së tij, pas një konflikti të dhunshëm brenda banesës.
Sipas mediave italiane, ngjarja ka ndodhur pas një sherri të ashpër mes çiftit, të cilët prej rreth dy dekadash janë të martuar. Gjatë konfliktit, burri dyshohet se ka kërcënuar gruan me vdekje dhe më pas ka tentuar ta dëmtojë rëndë duke përdorur lëndë djegëse në ambientet e shtëpisë.
Situata ka marrë një kthesë vendimtare falë ndërhyrjes së djalit të mitur të çiftit. 15-vjeçari, duke vepruar me gjakftohtësi, ka arritur të largojë mjetin ndezës dhe të fitojë kohë deri në mbërritjen e policisë, duke shmangur pasojat më të rënda.
Ishte vetë gruaja ajo që njoftoi menjëherë forcat e rendit, ndërsa autoritetet ndërhynë në kohë duke neutralizuar situatën dhe arrestuar 43-vjeçarin. Ai akuzohet zyrtarisht për tentativë vrasjeje ndaj bashkëshortes./ Zoom.al