Aplikacion
Një ngjarje e rëndë tronditi këtë të premte qytetin San Secondo Parmense, në Itali.
Një grua mbeti e plagosur rëndë pasi u godit me thikë nga bashkëshorti i saj, brenda banesës ku jetonin së bashku me katër fëmijët.
Autor dyshohet se është një 53-vjeçar me origjinë nga Afrika e Veriut, i cili tentoi të arratisej pas sulmit, por vetëm pak minuta më pas u përfshi në një aksident fatal me makinë. Ai humbi jetën në vend, ndërsa dy persona që ndodheshin në një furgon tjetër mbetën të plagosur rëndë.
Alarmin për ngjarjen e dha një nga fëmijët e çiftit, vetëm 6 dhe 8 vjeç. Të tmerruar, ata dolën në rrugë duke thirrur për ndihmë: “Ndihmë, mami është e sëmurë.” Një fqinj reagoi menjëherë, duke gjetur gruan të shtrirë në një pellg gjaku dhe njoftoi ambulancën.
Ajo u transportua urgjentisht në spital dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën. Ndërkohë, dy fëmijët e vegjël janë marrë në kujdes të specializuar, ndërsa dy fëmijët e tjerë, adoleshentë, ndodheshin në shkollë kur ndodhi ngjarja./ Zoom.al