zoom

Ide & Blog

Nga Zogu te Rama: Shqipëria si projekt personal i udhëheqësve

Nga Zogu te Rama: Shqipëria si projekt personal i udhëheqësve

Dikur, shqiptarët thoshin me bindje: “Shtet për herë të parë ndërtoi Ahmet Zogu.” Ai ishte figura që e identifikonte shtetin. Kur Zogu u largua, bashkë me të ra edhe struktura që kishte ngritur. Më pas erdhi Enver Hoxha. Edhe për të, në vitet e tranzicionit u tha gjatë se “Shtet kishte bërë Enver Hoxha”. Diktatori e ndërtoi shtetin mbi figurën e tij. Ishte ai që vendoste për gjithçka, për jetën e individit, për bukën, për librin, për martesat, për emërimet, për pushkatimet. Kur Enveri u zhduk, shteti u tret me të. Por “Shqipëria e tij” mbeti gjatë.

Në vitet ’90, një figurë e re u ngjit në skenën politike: Sali Berisha. Edhe ai ndërtoi një formë gati personale të qeverisjes. Publikoi numrin e tij personal të telefonit për qytetarët që kishin halle. Ai ishte shteti. Ai u përgjigjej qytetarëve një për një, sepse besonte se qeverisja identifikohej me të.

Tani, në vitin 2025 dhe Edi Rama është në pushtet prej 12 vitesh. Dhe ai po bën saktësisht të njëjtën gjë, por në mënyrë më të sofistikuar. Ai është kudo. Lexon ankesat e qytetarëve në rrjete sociale, i thërret nëpër Town Hall-e që të përballen me drejtuesit vendorë e me drejtorët që “s’u kanë zgjidhur hallet”, vendos kush duhet të shkarkohet në bashki dhe kush duhet të lavdërohet. Ai është arkitekti, kuratori dhe regjisori gjithçkaje. Ai vendos se kush projekt për kullë apo hotel në bregdet do të miratohet. Ai vendos për logon në fanellën e kombëtares. Ai është gjithçka: edhe qeveri qendrore, edhe pushtet vendor, edhe inspektor i terrenit, edhe komentator.

Në pamje të parë, duket sikur po punon fort për të rregulluar gjithçka. Në të vërtetë, bën thjesht teatër. Sepse të gjithë e dimë që, çështjen e hapësirave publike, atë që ai denoncon sot në Vlorë e Tiranë, nuk e zgjidhi për 11 vite kur ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës. Përkundrazi, atëherë u shënua kulmi i uzurpimeve urbane, i ndërtimeve pa kriter, pa respektuar asgjë. Asokohe “qahej” se nuk e lejonte qeveria. Tani ka 12 vjet si kryeministër dhe prapë nuk e ka zgjidhur këtë problem në asnjë qytet të Shqipërisë.

Atëherë, përse gjithë ky show? Disa kritikë thonë se “Rama nuk ka më çfarë të japë në këtë mandat”. Ekonomia është e stërmunduar, administrata është e konsumuar dhe e korruptuar. Dhe entuziazmi ka kohë që ka rënë. Ndaj, për të ruajtur kontrollin dhe perceptimin e “të pazëvendësueshmit”, ai ka vendosur të bëjë shfaqje, të përforcojë idenë se vetëm ai mund të verë rregull në këtë vend, të pastrojë kazanët e plehrave, të zhbëjë betonin dhe të shpëtojë qytetet. Ai denoncoi në drekë disa shtëpiza në Theth, policia nuk vonoi më shumë se 2 orë për t’i shembur. Pa Ramën, policia s’bën asgjë. Ai thote se trotuaret e Tiranës janë zaptuar, Gjergj Luca del i pari për t’i hequr, ministri i brendshëm direkt pas tij.

Por nëse do ta kishte seriozisht, së pari Edi Rama nuk do e lejonte këtë shkatërrim urban për mbi 1 dekadë që është në pushtet. Nuk do të toleronte që të njëjtët drejtues lokalë që ai vetë i promovoi, të shndërroheshin në shënjestra publike vetëm për hir të spektaklit. Në vend të transparencës dhe barazisë përballë ligjit, Rama ofron një tjetër shfaqje të personalizimit të shtetit.

Ky është modeli: kur nuk ke më çfarë të shesësh, ofron dramë. Kur nuk ke më vizion, ofron protagonizëm. Kur nuk ndërton dot institucione, zmadhon karrigen e pushtetit nga ku komandohet gjithçka, duke krijuar idenë se vetëm një person i vetëm mund të shërojë çdo plagë që ka ky vend.
Shqipëria po përjeton fatkeqësisht ripërsëritjen e historisë së udhëheqësve të saj, por tani në formën më tragji-komike të saj./ Zoom.al

Postime të lidhura