zoom

In Zoom

Nga skandali në skandal, presidenti Elez Gjoza merr familjarët në Kubë dhe lë sportistët jashtë

Nga skandali në skandal, presidenti Elez Gjoza merr familjarët në Kubë dhe lë sportistët jashtë

Presidenti Elez Gjoza e ka kthyer Federatën Shqiptare të Peshëngritjes, pronë individuale.

Skandalet në institucionin e drejtuar prej tij nuk kanë fund. I radhës është denigrues për sportistët dhe trajnerët e shtangës.

Në Çmimin e Madh të Kubës, delegacioni shqiptar udhëhiqej nga presidenti i FSHP-së Elez Gjoza, i cili mori me vete tre familjarë, bashkëshorten, nipin dhe të fejuarën e tij mëson ekskluzivisht Zoom.al.

I vetmi sportist në këtë kompeticion që u zhvillua nga 8-18 qershor ishte Erkand Qerimaj, i cili çuditërisht nuk mori pjesë në këtë garë kualifikuese.

Gjithashtu pjesë e delegacionit ishin edhe dy trajnerë të kombëtares dhe sekretarja e FSHP.

Sportistët nuk kanë uniforma dhe stërviten në kushte të tmerrshme, por kjo nuk ka rëndësi, pasi Gjoza ka prioritet të kënaqë bashkëshorten e tij dhe familjarët e tjerë.

Me paratë e Federatës, Gjoza abuzon pa iu dridhur qerpiku dhe nuk i jep llogari askujt, pasi edhe ata që bënin opozitë në Komitetin Ekzekutiv, me një të rënë të lapsit i përjashtoi nga Federata.

Pas çdo aktiviteti ndërkombëtar, sportistët tanë ankohen për mungesën e fizioterapistëve apo masazhatorëve, por për t’iu bërë qejfin familjarëve Gjoza sakrifikon njerëzit e sportit.

I njohur ndryshe si presidenti i dopingut, pasi gjatë mandateve të tij në krye të FSHP-së janë regjistruar mbi 14 sportistë me substancë të ndaluar, Gjoza sërish vazhdon të shpërdorojë detyrën e tij dhe pa u shqetësuar nga askush.

Thonë se ka mbështetje politike, por kur abuzimi ka arritur kulmin, dikush duhet të mbajë përgjegjësi. Për më tepër edhe komunitetin e shtangës e ka kundër.

Në FSHP nuk ka transparencë për fondet që jep Federata Botërore për organizimin e turneve të ndryshëm apo fondet e solidaritetit.

Madje, FSHP është i vetmi institucion që nuk ka një faqe zyrtare dhe nuk pasqyron asnjë aktivitet, edhe pse ky është një kriter i kërkuar edhe nga IWF. Këmbanat e alarmit po bien dhe fort!!!/ Shkruar nga F.H për Zoom.al