zoom

Aktualitet

Nga nesër më pak autobusë në qarkullim, shoqata redukton flotën për shkak të çmimit të naftës

Nga nesër më pak autobusë në qarkullim, shoqata redukton flotën për shkak të çmimit të naftës

Shoqatat e transportin publik kanë njoftuar se duke nisur nga dita e nesërme do të ketë një reduktim të ndjeshëm të mjeteve në qarkullim.

Sipas tyre, flota e autobusëve do të ulet me rreth 40%, si pasojë e drejtpërdrejtë e rritjes së çmimit të naftës dhe mungesës së mbështetjes nga institucionet shtetërore.

Ky vendim vjen pas rritjes së fundit të çmimit të naftës, e cila ka arritur në 215 lekë për litër, duke rënduar ndjeshëm kostot operative të kompanive të transportit.

Operatorët shprehen se situata është bërë e papërballueshme, pasi nuk është miratuar asnjë skemë kompensimi dhe nuk janë ndërmarrë hapa konkretë për të lehtësuar barrën financiare të sektorit.

Përfaqësuesit e shoqatave bëjnë me dije se kanë zhvilluar më herët takime me autoritetet përgjegjëse, ku kanë kërkuar subvencione për karburantin dhe masa fiskale lehtësuese, por deri tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje konkrete. Sipas tyre, mungon një plan i qartë veprimi, si dhe nuk është dhënë asnjë afat për ndërhyrje nga ana e qeverisë.

Ata theksojnë se përveç mungesës së subvencioneve, nuk ka nisur asnjë proces për rishikimin e taksave që ndikojnë drejtpërdrejt në kostot e operimit, si akciza, TVSH-ja apo taksat e qarkullimit. Kjo situatë ka përkeqësuar gjendjen financiare të kompanive, duke i detyruar të marrin masa drastike për të vazhduar aktivitetin.

Shoqatat u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë mirëkuptim dhe të planifikojnë lëvizjet e tyre, pasi reduktimi i autobusëve do të ndikojë në frekuencën e shërbimit dhe mund të sjellë vonesa./ Zoom.al

Postime të lidhura