zoom

Ekonomi

Ndryshon ligji i basteve online, lojtarët nuk do të tatohen. Kush s’merr para, ia jep shteti

Projektligji i qeverisë për lojërat e fatit është rikthyer përsëri në komisionet ndërparlamentare, nisur me atë të ekonomisë.

Prezantuar nga zv.ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Vasilika Vjero, dokumenti i ri ka shumë ndryshime nga ai i publikuar dy herët e para, nisur që nga tatimi. Një ndër pikat që nxiti më shumë debat në projektligjin e parë ishte ajo e tatimit të lojtarëve me 15%, kur ata fitonin para nga bastet online. Tani kjo taksë do të jetë zero, sipas zv.ministres.

Për organizatorët e lojërave online taksa do të jetë 15% e fitimit dhe për kazinotë 25%. Por, krahas detyrimit ligjor, ato do të paguajnë dhe 15% të qarkullimit në fondin e posaçëm, dedikuar projekteve në sport dhe arsim.

Këto projekte do të shqyrtohen dhe miratohen nga një këshilll i përbërë nga kabineti qeveritar.

Një tjetër ndryshim me rëndësi është ai i ‘kompensimit’ të lojtarëve nga shteti. Projektligji parashikon krijimin e një fondi garancie nga shteti dhe nga organizatori i lojërave të fatit, ku do të bllokohen 120 mln lekë në shtet dhe 50 mln lekë në kompani, për t’u përdorur në rastet kur pronari i një pike refuzon të paguajë lojtarin shumën që ai ka fituar.

Pikat që hapen nën autorizimin e kompanisë së licensuar, do të quhen ‘agjentë financiarë’ që do të kryjenë transaksionet për lojtarin. Ata hapin llogaritë për lojtarët që më pas mbushet nga ato sipas vlerës që do të luhet me numër ID.

Vjero shpjegoi se llogaria do të hapet në pika të Postës Shqiptare, bankave tregtare ose institucionet financiare.

Procesi i licencimit do të jetë i njëjti, kërkohet kapital 400 mln lekë dhe zgjat 10 vite. Procesi do të bëhet me garë sipas një sistemi pikëzimi.

Publiciteti do të jetë i lejuar në media elektronike, hapësira veprimtarie të futbollit dhe programet sportive në orarin 22-08. Kompanitë mund të sponsorizojnë edhe skuadra futbolli.

Deputetët pjesëmarrës në komision, ngritën dhjetëra pyetje për paqartësitë e funksionimit dhe menaxhimit të lojërave të fatit.

Deputetja demokrate Jorida Tabaku shprehu paqartësinë e taksimit dhe përfshirjen e Bankës së Shqipërisë, si licencues të institucioneve financiare që do të pranojnë pagesa. Sipas saj, ky është ligji i radhës që tregon kapjen e shtetit.

“Pak vite më parë kishim shumë debat për lojërat e fatit. Braçe ishte atëherë me argumenta shumë aktive në diskutimin e tij se do të mbyllej përfundimisht kjo epokë në Shqipëri. Unë jam në gjyq me kryeministrin për këtë çështje. Qeveria e mbylli ‘marrëzinë e fundit’. Tani po i centralizon në disa duar. Një nga 12 ligjet që kjo qeveri e ka miratuar në interesa të tjera, kapja e shtetit. Pranohet dështimi me ligjin e lojërave të fatit dhe kanë operuar gjatë gjithë kësaj kohe, paska edhe një shoqatë edhe pse nuk është lejuar. Nuk është konsultimi diskutimi me kompanitë dhe që bini dakord. Nuk thuhet asnjë vend sa kazino ka, sa keni regjistruar, prek edhe lotarinë kombëtare. E pakonceptueshme që këto të jenë të reklamueshme. Çështja sociale është çështja morale që nisi qeveria juaj para disa viteve e tani po i vendosni para fëmijëve. Unë mendoj se kompanitë që keni diskutuar janë ato që kanë kazinotë”, tha Tabaku.

Deputeti i PS-së Erion Braçe sugjeroi që ministria e Financave të konsultohet edhe me shoqatën e personave të dëmtuar nga ky biznes, si edhe të konsiderohet përshtatja e modelit francez.

Jam për modelin që duhet ta ketë shteti. Sepse edhe kështu do të jetë një luftë mes atyre ilegalë dhe legalë. Sa kohë që ilegaliteti do të vazhdojë duhet të rrijë shteti përballë, jo në mes. Nëse ky aktivitet nuk mbyllet dot – dhe është provuar se nuk mbyllet dot askund, dhe këtë jua kam thënë edhe para 5 vitesh – ta ketë shteti. Shteti ti rrijë përballë çdo lloj strukture që do të jetë ilegale dhe që sipas këtij modeli do të legalizohet” tha Braçe.