Aplikacion
E ftuar në emisionin “Opinion” në TV Klan, Elisa Spiropali ka komentuar çështjen e ndalimit të Erion Veliajt dhe ndikimin e saj në Partinë Socialiste dhe në qarkun e Tiranës, ku ajo vetë është kandidate.
Gazetarja Mirela Milori e pyeti nëse arrestimi i Veliajt ka dëmtuar elektoralisht bazën socialiste në kryeqytet.
“Jemi tmerrësisht të keqardhur për atë që ka ndodhur, si në aspektin njerëzor, si kolegë, për një njeri me të cilin kemi punuar gjatë, dhe që ka patur një rol të rëndësishëm si në PS ashtu edhe në transformimin e Tiranës,” – tha Spiropali. Megjithatë, ajo theksoi se ndjesitë personale nuk janë kthyer në mbrojtje politike.
“Ka qenë zgjedhje e qartë e Partisë Socialiste që të mos ndërhyjë në procesin e drejtësisë. As për Veliajn, as për askënd tjetër,” – shtoi ajo.
Spiropali theksoi gjithashtu se ky qëndrim lidhet me përkushtimin e Shqipërisë për të përmbushur standardet e Bashkimit Europian, veçanërisht në kuadër të Kapitullit 1 të negociatave për sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.
“Pushteti nuk është më në duart e politikës, por i është kthyer qytetarëve,” përfundoi Spiropali.