Aplikacion
Një aksion për prishjen e ndërtimeve pa leje ka nisur së fundmi në Theth, një nga destinacionet më të njohura turistike në veri të Shqipërisë.
Aksioni ka sjellë reagime të forta, si nga banorët ashtu edhe nga opinioni publik. Gazetari Blendi Fevziu, në emisionin “Opinion” në Tv Klan, e cilësoi situatën në Theth si një “shembull tipik se si nuk duhet të zhvillohet turizmi në Shqipëri”.
Ai vuri në dukje se kaosi ndërtimor dhe ndërhyrjet pa leje nuk janë të rastësishme, por ndodhin me dijeninë dhe tolerimin e strukturave lokale. Në kulmin e sezonit turistik, kjo situatë ka ngritur pikëpyetje serioze për mënyrën si trajtohen zonat e mbrojtura dhe asetet natyrore të vendit.
“Në fakt problemi i ndërtimeve pa leje, por edhe kaosi i krijuar nuk është vetëm në Theth, por është dhe në zona të tëra, në të cilat ndërtohet, zbatohet. Ndërkohë është edhe një gjë, që asnjë ndërtim dhe asnjë zaptim, asnjë gjë nuk mund të bëhet pa dijeninë e punonjësve lokalë të policisë, të bashkive dhe nuk ka shans që një njeri të ndërtojë dhe të zbatojë një fshat të tërë pa e ditur policia, pa e ditur pushteti lokal, pa e ditur drejtuesit e zonës se çfarë ndodh.
Tolerohet dhe më pas shkohet në dëme të tilla materiale, të cilat janë shumë të mëdha, në konflikte të tilla, por edhe në një lloj cenimi të sezonit turistik, ekzaktësisht në mesin e tij. Padyshim që është shumë e vështirë t’i hysh e të mendosh se çfarë po ndodh në Theth, por është një shembull tipik se si ne po shkatërrojmë një nga asetet kryesor që ka Shqipëria, që është turizmi dhe një nga shembujt se si nuk duhet të zhvillohet turizmi në Shqipëri”, tha Fevziu.
Dhunohet Polici i Rrugores në Shkodër, goditet me sende të forta jashtë orarit të punës