Aplikacion
Pas gati dy orësh kërkime, policia ka arrestuar 25-vjeçarin që dyshohet se vrau me thikë babain e tij në banesën familjare në fshatin Shkallnur të Durrësit.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 13:00 të ditës së sotme. Sipas informacioneve zyrtare, autori i dyshuar, me iniciale M. K., dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor.
“Rreth orës 13:00, shtetasi M. K., 25 vjeç, dyshohet se, për shkak të problemeve të shëndetit mendor, ka goditur me mjet prerës (thikë) babain e tij, shtetasin P. K., 69 vjeç, në banesën e tyre në fshatin Shkallnur,” njofton policia.
I riu u kap pak minuta më parë në zonën e plazhit, pas një operacioni kërkimi që zgjati rreth dy orë. Ndërkohë, viktima, 69-vjeçari P. K., ndërroi jetë gjatë transportit për në spital si pasojë e plagëve të marra.
Rrethanat e ngjarjes vijojnë të hetohen nga grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Durrësit./Zoom.al