zoom

Slider

Mos e mbroni Ambrozia Metën, ajo sapo dëshmoi se kush është i lirë e kush i burgosur

Mos e mbroni Ambrozia Metën, ajo sapo dëshmoi se kush është i lirë e kush i burgosur

Ngjarja e fundit në Kryeministri nuk qe thjesht një përplasje mes një politikani nervoz dhe një gazetareje insistuese. Ajo qe një tjetër provë se si kreu i qeverisë e mendon zyrën si pronë private dhe transparencën si dëshirë personale.

Përplasja nuk nisi nga mungesa e etikës, por nga insistimi i saj për të marrë përgjigje për pyetje që askush tjetër nuk guxon t’i bëjë. Ajo e pyeti kryeministrin se si mund të shqetësohet për burgun e Ballukut, kur në 13 vjet qeverisje ka çuar në qeli qytetarë hallexhinj se s’paguanin dot energjinë apo ujin.

Pyetja nuk qe ndonjë bombë që kërcënoi godinën qeveritare, por në realitetin tonë absurd, ajo ngjau si një grusht mbi fasadën prej qelqi të një pushteti që mbahet në këmbë nga propaganda. Ajo thjesht shqiptoi atë që kolegët e saj nuk munden, jo se nuk e mendojnë njësoj, por sepse nuk janë njësoj të lirë.

Për këtë qëndrim, konferenca u ndërpre, ajo u nxorr jashtë dhe u përjashtua përjetësisht. Por megjithëse Edi Rama e largoi Ambrozia Metën nga salla, ai nuk mundet t’i largojë pyetjet e saj nga koka e çdo qytetari. Kartoni i tij i kuq nuk është asgjë tjetër veçse një autoportret i autokracisë së ulur këmbëkryq në zyrën kryeministrore.

Njësoj si në Venezuelën e Maduros! Në vitin 2019, gazetari Jorge Ramos e pyeti diktatorin: “Ju e dini që nuk jeni presidenti legjitim. Pra, si t’ju thërras? Diktator?” Ramos i tregoi videot e njerëzve që hanin nga plehrat. Maduro u tërbua, konfiskoi pajisjet dhe e arrestoi. Ishte një pyetje që i kushtoi lirinë për pak kohë, por i tregoi botës fytyrën e vërtetë të regjimit.

Ambrozia Metës, pjesëmarrja në konferencat me regji mund t’i kushtojë po njësoj, por ky “dënim” vlen më shumë se çdo lejekalimi në oborret e pushtetit. Ajo na tregoi sërish autokratin që ndihet i gjithëpushtetshëm brenda mureve, por që i mjafton një pyetje për t’ia shpuar tigrin prej tollumbacje me të cilin i hakërrehet gjithkujt që e kundërshton.

Por pavarësisht se u pa nga shumëkush si viktimë e brutalitetit kryeministror, Ambrozia Meta sot nuk ka nevojë për mbrojtje. Nga ajo sallë me më shumë hije se zëra, ajo doli prej andej si njeriu më i lirë në atë godinë, ndërsa na dëshmoi se aty la pas Ramën si të burgosurin më të madh të korrupsionit të tij. Ajo humbi aksesin në konferecat me skenar të parapërgatitur, por fitoi të drejtën për të mos qenë pjesë e një regjie që kërkon heshtjen si haraç për praninë.

Në fund të ditës, kjo përballje na tregoi se mund të rrish në majë të pushtetit dhe të jesh i mbytur nga frika e një pyetjeje, ose mund të jesh jashtë derës dhe të shohësh të vërtetën drejt e në sy. Ambrozia Meta nuk ka nevojë për mbrojtjen tonë, por Shqipëria ka nevojë për lirinë e saj.

Kjo përballje e saj na tregoi se mund të jesh i mirëpritur nga pushteti dhe të jetosh nën frikën e një pyetjeje, ose mund të jesh jashtë mureve të tij dhe ta shohësh të vërtetën drejt e në sy. Ajo u tha sot ne të gjithëve që shkruajmë e flasim nën titullin “gazetar”, se ajo nuk ka nevojë për mbrojtjen tonë, por se jemi ne që kemi nevojë për një liri si të sajën. /Zoom.al

Postime të lidhura