zoom

In Zoom

Monopoli i inerteve, Erion Veliaj i siguron miliona euro kompanisë së inceneratorit të Tiranës

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vazhdon të pasurojë kompaninë e inceneratorit të Tiranës, edhe pse pronari i saj, Klodian Zoto, është shpallur në kërkim. Zoom.al ka shkruar disa herë për mekanizmin që ai po përdor duke i siguruar kompanisë së Klodian Zotos monopolin e një prej bizneseve më fitimprurëse në territorin e Bashkisë së Tiranës.

Të ndërtosh apo të prishësh një shtëpi ose çfarëdolloj objekti në Tiranë të kushton shtrenjtë.

Dhe nuk këtu nuk bëhet fjalë vetëm për kostot e ndërtimit, që natyrisht janë shtrenjtuar shumë edhe për shkak të krizës që ka prodhuar lufta në Ukrainë, por edhe për shkak të taksave absurde që aplikon Bashkia e Tiranës.

Të gjithë ata që jetojnë në territorin e Bashkisë së Tiranës, paguajnë shifra të kripura nëse duan t’i hedhin inertet dhe dherat.

Këto para shkojnë në duart e kompanisë së inceneratorit të Tiranës, pronari i të cilit, Klodian Zoto, është shpallur në kërkim.

Sipas tarifave te vendosura nga Bashkia e Tiranës, çdo kompani apo familje duhet të paguajë 8 euro per çdo ton dhe’, ose 16 ton nëse janë mbetje inerte.

E konsideruar si një barë e rëndë nga ndërtuesit, kjo taksë në fakt ka rritur kostot e ndërtimit, çka në fakt në fund shkarkohet tek qytetarët që janë edhe blerësit fundor të një ndërtimi.

Por ajo që e bënë edhe më aburd këtë situatë është fakti se sipas Bashkisë së Tiranës dherat dhe inertet duhet të dorëzohen tek një operator i vetëm.

Kështu, të gjithë ndërtuesit apo banorët e Tiranës i dërgojnë intertet dhe dherat në Sharrë, tek “Integrated Energjy B.V”.

Pra çdo ndërtues që prish një ndërtesë të vjetër dhe hap një gropë për ndërtesën e re, si mbetet inerte ashtu edhe dherat duhet t’i dorëzojnë tek kompania e Klodian Zotos kundrejt pagesës përkatëse.

Jo vetëm kaq, por edhe nëse do t’i nevojiten inerte për të bërë një mbushje të një grope apo nivelimin e një sipërfaqe e rregullim kopshti, sërish duhet dherat duhen blerë të kompania e inceneratorit.

Pra Bashkia e Tiranës në mënyrë të kundraligjshme ka krijuar një monopol, duke i dhënë të drejtën eskluzive një kompanie të caktuar.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj duke folur për këtë çështje në Komisionin Hetimor për Inceneratorët, u shpreh se kjo nuk është më një çështje e bashkisë, por një marrëdhënie mes privatëve.

“Bashkia s’është fare pjesë kontraktuale e dherave është marrëdhënie mes privatit po ta ilustroj moj se nuk ka gjë të keqe të merresh me ndërtim. Është marrëdhënie mes dy privatëve”, u shpreh Veliaj gjatë asaj mbledhje.

Erion Veliaj duke deshmuar ne Komisionin Hetimor per Inceneratoret

Por Kryetari i shoqatës së ndërtuesve Luigj Aleksi, në të njëjtin komision deklaroi se Bashkia Tiranë i detyronte ndërtuesit që të depozitonin dherat dhe inertet në Inceneratorin e Tiranës pa një dokument zyrtar, por duke i kërcënuar me lejet e ndërtimit.

“Me një vendim që nuk e dimë, një vendim që nuk ekziston, nga bashkia detyrohen ndërtuesit që të lidhin një marrëveshje të veçantë me përfaqësuesit e landfillit dhe  duhet të paguajmë për të gjitha llojet e dherave që gërmojmë, një taksë sikur këto janë mbetje inertesh”- tha Aleksi.

Kur u pyet se si detyrohen ndërtuesit pa pasur një vendim zyrtar, ai u përgjigj se u bënte presion nëpërmjet lejeve të ndërtimit.

“Nuk japin leje ndërtimi nëse nuk shkojmë të nënshkruajmë marrëveshje me kompaninë konçensionare”– sqaroi ai.

Ndërtuesit që operojnë në Tiranë, tregun kryesor të industrisë së ndërtimit në vend, i kanë kërkuar disa herë bashkisë t’u vërë në dispozicion vendimin e Këshillit Bashkiak mbi të cilin bazohet kërkesa për t’i çuar inertet te inceneratori. Por bashkia ka refuzuar.

“I kemi kërkuar sqarim (bashkisë), por ata bënë të paditurin, na thanë se dhe ne si ju jemi klientë të kompanisë konçensionare, kur në fakt ata miratojnë çmimin, në fakt ata na detyrojmë të shkojmë të bëjmë marrëveshje me landfillin”- tha kreu i shoqatës së ndërtuesve.

Opozita në Komisionin Hetimor i kujtoi Erion Veliajt se vetëm nëpërmjet këtij monopoli I kishte dhënë kompanisë së inceneratorëve plotë 45 milionë euro.

Luigj Aleksi, kryetari i Shoqates se Ndertuesve duke deshmuar ne Komisionin Hetimor Parlamentar per Inceneratoret

“Është dhënë një monopol për dherat dhënë për koncesionarin e Tiranës, në shtesë të kontratës që nuk është llogaritur në kontratë, 45 milionë euro, sipas librave të shitblerjes se kompanisë, që ky Komision e ka administruar si provë”, u shpreh deputetja demokrate, Jorida Tabaku gjatë mbledhjes.

Kryebashkiaku Veliaj duhet t’u japë përgjigje pyetjeve se përse i ka siguruar një aktivitet biznesi monopol një kompanie private dhe përse bashkia nuk ka përcaktuar një tjetër vend për depozitimin e dherave dhe inerteve, duke e bërë kështu këtë treg të konkurrueshëm?

Opozita thotë se ai ka lidhje të drejpërdrejta me pronarin e inceneratorit të Tiranës, Klodian Zoton dhe bashkëpunëtorin e tij Mirel Mërtiri.

Sipas saj, ai dyshohet se ka udhëtuar me Zoton e Mërtirin jashtë shtetit dhe se ai u bë pengesë që policia të mos i jepte hyrje – daljet e tij në sistemin TIMS Komisionit Hetimor për Inceneratorët. /Zoom.al