zoom

In Zoom

FAKTET E REJA PËR SPAK PËR INCENERATORIN E TIRANËS/ Pse paguan Veliaj për një shërbim që nuk bëhet?

Ajo që zbuloi Monika Kryemadhi mbi inceneratorin e Tiranës është akti thelbësor i një skandal të përmasave të mëdha që luhet çdo ditë në kryeqytet, në dëm të afro 1 milion qytetarëve.

Me pamje filmike, me një monitorim 180 ditë me radhë me dron, ajo tregoi se si në inceneratorin e Tiranës nuk kryen asnjë proces për të cilin ai paguhet dhe që ai që duhet të bënte djegien e mbetjeve nuk është gjë tjetër veçse një landfill siç ka qenë dikur, ku mbetjet vetëm groposen ashtu siç vijnë nga koshat e mbeturinave ku i hedhin qytetarët.

Nuk ka asnjë diferencim, sado që qytetarët ftohen t’i hedhin nëpër kosha të posaçëm, apo në koshin e vetëm nëntokë që ka inaguruar Erion Veliaj me shumë bujë në qendër të Tiranës.

Nuk ka djegie. Nuk ka diferencim. Nuk ka përpunim. Nuk ka riciklim. Ka shkarkim të tyre në landfill dhe mbulim me dhe’. Kështu siç është sot ka qenë historikisht, ndonëse po shpenzohen miliona euro nga taksat e shqiptarëve.

Kompania “Integratet Energy” e Klodian Zotos, të shpallur në kërkim për vjedhje me inceneratorët, paguhet 29 euro për çdo ton mbetje që mbërrin në landfillin e Sharrës.

Kjo shumë i paguhet për procesin e diferencimit dhe djegies në incenerator. Partia e Lirisë e provoi se asnjë nga proceset nuk kryhet, duke gjurmuar një qese me mbetje të diferencuara dhe nëpërmjet një monitorimi nga korriku i vitit 2022 deri në janar të vitit 2023.

“Nga pamjet e filmuara me dron nga gjurmimi i qeses fosforeshente kuptohet qartë që në inceneratorin e Tiranës nuk kryhet asnjë proces qoftë nga ato që  zotohet kryeminstri në komision qoftë edhe nga deklarimet e përfaqësuesve të kompanisë. Sipas pamjeve me dron në inceneratorin e Tiranës kryhet vetëm procesi i peshimit dhe groposjes së mbetjeve. Pra, asnjë proces tjetër për të cilin kompania paguhet 29 euro për ton”, deklaroi Kryemadhi.

Nëse diferencimi dhe djegia nuk kryhen, vetëm për groposjen e mbetjeve kompania duhet të paguhej 14 euro për ton. 15 euro për çdo ton i jepet asaj në mënyrë abuzive, hapur.

“Në filmimet e zhvilluara nga korriku 2022 deri në janar të 2023 provohet e kundërta e deklaratave të kryeministrit Rama në Komisionin Hetimor për Inceneratorët. Kryeministri deklararoi se në inceneratorin e Tiranës bëhet ndarja në burim, riciklimi dhe djegia. Nga pamjet që ne kemi siguruar në inceneratorin e Tiranës bëhet vetëm kapsulimi”, deklaroi deputetja Kryemadhi.

Për të treguar abuzimin, PL tregoi se si për të njëjtin proces bashkia e Shkodrës e paguante kompaninë private vetëm 14 euro për ton.

“Është e provuar botërisht se në landfillin e Sharrës ka vetëm groposje si në Bushat të Shkodrës, por këtu kompania offshore e lidhur me Edi Ramën paguhet dyfish në kurriz të qytetarëve të Tiranës të cilët vidhen pacipësisht nga banda që qeveris përmes mashtrimeve dhe kapjes së shtetit. Në Sharrë nuk ka incenerim, as diferencim, as riciklim por ka vetëm groposje primitive dhe hajdutëri pakufi! Kemi qartazi një organizatë kriminale të drejtuar nga Edi Rama dhe Erion Veliaj, të cilët duhet të dalin të dy para drejtësisë!” -ishte reagimi i menjëhershëm i kryetarit të PL, Ilir Meta.

Gazetarët panë me prova se si kompania e inceneratorit paguhet nga Bashkia e Tiranës për një shërbim që nuk bëhet.

Ashtu si gazetarët, provat e reja i panë edhe prokurorët e SPAK. Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) ka cuar para drejtësisë deri tani ish -ministrin e Mjedisit Lefter Koka, ish -deputetin socialist Alqi Bllako dhe 19 persona të tjerë, por vetëm për inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit, për një vjedhje disa miliona euroshe.

DOSJA E TIRANES

Bosët e inceneratorëvve, Klodian Zoto, Mirel Mërtiri e Stela Gugallja janë në arrati. Por kompanitë e tyre vijojnë t’i marrin paratë rregullisht, pavarësisht se SPAK ka prova se ata po vjedhin.

Por dosja e inceneratorit të Tiranës është e paprekur. Opozita ka akuzuar SPAK se nuk po e heton inceneratorin e Tiranës për shkak se është i kapur në forma të ndryshme nga pushteti, përmes presioneve apo favoreve korruptive.

Ajo i ka bërë thirrje disa herë SPAK-ut të ndërhyjë për të penguar pagesat që vazhdojnë e bëhen nga qeveria apo bashkia e Tiranës.

Pak ditë para largimit nga detyra, ish -kreu i SPAK, Arben Kraja, i pyetur për inceneratorin e Tiranës, tha se çështja është nën hetim. Mes hetimeve që s’kanë çuar deri tani askënd para drejtësisë dhe akuzave të opozitës se SPAK është i shitur, prokurorët do të duhet t’u japin përgjigje tani edhe pytjeve të ngritura nga faktet e reja të reja të sjella me pamje filmike nga Partia e Lirisë.

Për të gjetur përgjigjet, prokurorët duhet të pyesin Bashkinë e Tiranës, të drejtuar nga Erion Veliaj, se përse e paguan kompaninë e inceneratorit me 29 euro për çdo ton mbetje për një shërbim që nuk e bën, në vend që ta paguante 14 euro për ton.

Ata duhet ta pyesin bashkinë se përse vazhdon ta paguajë kompaninë e Klodian Zotos si incenerator kur inceneratori as që është ndërtuar.

Prokurorët duhet ta pyesin bashkinë e Tiranës se sa milionë është diferenca mes dy çmimeve.

MILIONAT E ABUZIMIT

Tirana prodhon rreth 700 ton mbetje në ditë. Me 29 euro për ton, Bashkia i paguan kompanisë së Klodian Zotos 20 mijë euro në ditë. Me 14 euro për ton, sa do të duhej të ishte çmimi, ajo do t’i paguante 9.800 euro, 12,200 euro më pak. Në vit, me 29 euro për ton Klodian Zoto merr 7.3 milionë në vit nga Veliaj, ndërsa me 14 euro për ton do të merrte 3.5 milionë euro, ose 3.8 milionë euro më pak.

SFIDA E SPAK

Sot Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi kryebashkiakun Veliaj dhe kryeministrin Rama se kanë vjedhur 54 milionë euro nga kjo aferë.

Opozita thotë se për këtë “mega-aferë Edi Rama dhe Erion Veliaj duhet të dalin dy para drejtësisë”.

Me provat e reja, opozita i ka hedhur dorashkën e një sfide të fortë SPAK-ut, kësaj strukture të ngritur dhe të trajnuar posaçërisht për të hetuar korrupsionin në nivelet e larta të politikës.

Me veprimet mbi këtë aferë SPAK ka në dorë jo vetëm të bëjë drejtësinë, por edhe të tregojë se reforma në drejtësi nuk qe dështimi që shumë prej politikanëve të korruptuar nga të dyja krahët do të dëshironin dhe se ajo nuk është shndërruar në “SKAPIN e Partisë”, siç po e etiketon opozita. © Zoom.al