zoom

In Zoom

Ku gabojnë PS e PD me shumën 430 milionë euro për inceneratorin e Tiranës

Edi Rama insistoi në Komisionin Hetimor Parlamentar për Inceneratorët që opozita t’i gjente se ku ishin 430 milionë eurot që ajo deklaronte se po vidheshin me inceneratorin e Tiranës nëpërmjet një kontrate që ajo e konsideron abuzive.

“Nuk jam këtu për letra, jam për lekët. Dua 430 milionë eurot. Ose mua m’i kanë marrë, ose po bëjnë hajgare me popullin shqiptar. Aty e kam mendjen. Ku janë 430 milionë eurot? Ku janë?” – i hakërrehej ai kryetares se Komisonit, Jorida Tabakut.

Tabaku insistoi që shuma ishte e saktë.

“Sot Rama dështoi të thoshte se ku kanë shkuar 430 milionë euro duke injoruar çdo ligj dhe Kushtetutën dhe refuzoi të thoshte të vërtetën”, tha ajo në një konferencë për shtyp pas mbledhjes që zgjati 10 orë.

Jorida Tabaku duke folur pas Komisionit per Inceneratoret

Por a janë vjedhur realisht 430 milionë euro me kontratën koncesionare të inceneratorit të Tiranës, të fituar nga “Integrated Energy” e Klodian Zotos?

Mbetjet po kapsulohen aktualisht në landfillin e Sharrës dhe procesi e ka një kosto. Nëse inceneratori do të ishte ndërtuar, kostot do të ishin akoma më të mëdha. Nisur nga kjo, Partia Demokratike duket se gabon kur e quan të gjithën vjedhje.

Aktualisht në inceneratorin e Tiranës paguhet 29 euro për çdo ton mbetje. Zoom.al ka mësuar se kostoja reale e përpunimit është 12.5 euro për ton. 16.5 euro për çdo ton plehra mbetet të jetë shuma abuzive që pretendon Partia Demokratike.

Nëse këto tarifa do të mbeten në fuqi, nga një përllogaritje e thjeshtë rezulton se 150 milionë euro do të jetë konstoja e përpunimit të mbetjeve për të gjithë periudhën 30 -vjeçare të kontratës, ndërsa 280 milionë euro janë fitime ose pjesa që Partia Demokratike dyshon se po vidhet nëpërmjet një skeme të organizuar.

Kjo është pjesa në të cilën ndahen palët. Partia Demokratike thotë se e gjithë shuma prej 430 milionë eurosh është vjedhje, duke mos përjashtuar këtu kostot e përpunimit. Ndërsa Partia Socialiste duket më realiste kur kësaj shumë i heq koston që i duhet kompanisë së të shpallurit në kërkim, Klodian Zoto, për t’i përpunuar mbetjet, tani përmes groposjes së tyre e më vonë nëpërmjet incenerimit. /Zoom.al