Aplikacion
Një ditë më parë qeveria njoftoi se ka shtyrë me 1 vit koncesionin e markimit të karburanteve duke rritur më tej çmimin e naftës të paktën deri marsin e vitit të ardhshëm.
Sipas vendimit në Fletoren Zyrtare, në çmimin e naftës do të ketë një kosto të shtuar prej 2 lekë/litër.
Publikisht, qeveria nuk ka dhënë asnjë argument mbi aryset e kësaj shtyrjeje, teksa vetë kontrata përcakton se zgjatja e afatit mund të bëhet vetëm në raste të Forcës Madhore dhe jo më shumë se 120 ditë.
Kompanitë koncesionare Global Fluids International SA dhe Petroleum Consulting Partners AG e ofrojnë shërbimin e markimit dhe monitorimit me një çmim prej 614 Lekë për 1000 Litra të markuara (pa TVSH). Ndërkohë që kjo tarifë përgjatë 10 viteve iu ka garantuar fitime para tatimit, në vlerën e rreth 724 mln lekëve.
Të dhënat janë deklaruar nga vetë koncesionari pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, ku viti 2022 duket se ka qenë më fitimprurësi, me 172.6 mln lekë, teksa vlera e investimit në kontartën koncesionare parashikohej të ishte 4.17 mln USD.
Ndërkaq, importuesit e naftës pohojnë se në rast se nuk paguajnë tarifën e markimit nuk iu mundësohet zhdoganimi i karburanteve. Vlera prej 2 lekë/litër për markimin është një nga taksat dhe tarifat e përfshira në çmimin e karburantit, që paguhet drejtpërdrejt nga qytetarët.