Aplikacion
Këshilli i Ministrave ka miratuar projekt-buxhetin e vitit 2024, ku sipas ministrit të Financave, Ervin Mete do të kalojë të ardhura mbi 7 miliardë euro dhe do të ketë një rritje ekonomike prej 3.8% për vitin e ardhshëm.
Ministri Mete tha se me buxhetin e miratuar planifikohet rritja e pagave dhe duke bërë të mundur që brenda vitit 2024 të realizohet objektivi i vendosur nga qeveria për të arritur një nivel page mesatare prej 900 euro në muaj.
Gjithashtu theksoi se parashikohet një fond prej 11 miliardë lekësh për rritjen e mëtejshme të pagave të mjekëve të përgjithshëm, infermierëve dhe punonjësve të tjerë shëndetësorë, mësuesve në arsimin parauniversitar, forcave të rendit, të mbrojtjes dhe niveleve zbatuese të administratës qëndrore dhe vendore.
“Në total, efekti i përgjithshëm në buxhet për financimin e kësaj reforme madhore në sistemin e pagave kap vlerën 39 miliardë lekë”, tha ai.
Një pjesë e buxhetit që do të financohet është indeksimi i pensioneve si edhe mbështeja për shtresat në evojë.
“Gjithashtu financohet indeksimi i pensioneve, i cili në dy vitet e fundit kap shifrën rreth 25 miliardë lekë. Vijon mbështetja për mbrojtjen sociale dhe shtresat në nevojë, duke alokuar rreth 33%, 1/3 e shpenzimeve të përgjithshme publike për skemën e pensioneve, ndihmën ekonomike, pagesën e paaftësisë, pagesën e papunësisë, asistencën sociale, ish-të përndjekurit, ish-pronarët, etj”, tha ministri.
Ndërkohë është rritur buxheti në dispozicion për njësitë e pushtetit vendor, ku për vitin 2024 shpenzimet parashikohen të jenë 71 miliardë lekë, ose 10.4% më shumë se buxheti i vitit 2023.
Njoftimi i i plotë:
Sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, kemi miratuar Projektbuxhetin 2024, i cili vendos një nivel të ri lidhur me planifikimin e shpenzimeve publike që tejkalojnë 7 miliardë euro.
Projektbuxheti mbështet zhvillimin e mëtejshëm ekonomik, nxitjen e punësimit dhe mbrojtjen sociale, duke synuar në të njëjtën kohë balancën e duhur të ekuilibrave makroekonomikë dhe fiskalë.
Siç vlerësoi sot edhe FMN, ekonomia shqiptare shfaqet si një nga ekonomitë më rezistente të rajonit, duke hyrë tashmë në një fazë te re. Konjuktura aktuale e favorshme krijon mundësi për të shtyrë përpara një seri reformash, për të siguruar rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.
Në projeksionet tona, ne parashikojmë një rritje ekonomike prej 3.8% për vitin e ardhshëm, një balancë primare pozitive, konsolidim të mëtejshëm fiskal, rritje të punësimit dhe ulje të inflacionit.
Ambicja jonë është që siç kemi qënë një nga ekonomitë më rezistente të rajonit, të synojmë të jemi një nga destinacionet kryesore në rajon sa i përket turizmit, duke synuar në të njëjtën kohë të ofrojmë punësim cilësor dhe ndër pagat më të larta në rajon.
Projektbuxheti 2024 i përgjigjet kësaj ambicjeje,
Sa i përket paketës fiskale, edhe për shkak të interesit nga ana juaj, ju informoj se nuk do të ketë prekje të TVSH-së në sektorin e arsimit dhe në shërbimet financiare dhe këtë e kemi diskutuar edhe me FMN-në, me të cilët kemi dakordësuar të rishikojmë Strategjinë Afatmesme të Mbledhjes së të Ardhurave, me fokus kryesisht përmirësimin e administrimit fiskal.
Lidhur me akcizën, edhe pse ligji parashikon që të ketë indeksim të normës së akcizës, bazuar në nivelin kumulativ të inflacionit çdo dy vite, në vlerësimin tonë, nisur nga niveli i pazakontë i inflacionit në dy vitet e kaluara, kjo masë e ligjit do duhet të ndryshojë. Ndaj propozojmë vendosjen e një tavani prej 1.5% indeksim çdo dy vite.
Gjithashtu, në procedurat tatimore janë vendosur një sërë rregullash për shkëmbimin e informacionit me autoritetet tatimore homologe, në mënyrë që të sigurohet informacion periodik nga kompanitë mëmë të grupeve ndërkombëtare që kanë degë apo filiale që operojnë në Shqipëri.
Më tej, sqarohen procedurat që kanë të bëjnë me marrëveshjet e eleminimit të taksimit të dyfishtë, në mënyrë që të ketë me tepër mirëadministrim në këtë fushë.
Me miratimin në Këshillin e Ministrave, projektbuxheti 2024 dhe paketa fiskale do t’i nënshtrohen një faze të gjerë diskutimesh në komisionet parlamentare, ndaj do të kemi kohë dhe për të adresuar pyetjet që mund të lindin, si nga ana e mediave, por edhe nga ana e deputetëve, qytetarëve apo grupeve të interesit.