zoom

Bota

Ministria e Shëndetësisë në Gaza: Izraeli vrau 274 palestinezë gjatë shpëtimit të pengjeve

Ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza ka deklaruar se një sulm izraelit në një kamp refugjatësh, që çoi në shpëtimin e katër pengjeve, vrau 274 njerëz, duke përfshirë fëmijë dhe civilë të tjerë.

Të shtunën, forcat izraelite, zhvilluan beteja intensive me armë me Hamasin në dhe rreth kampit të refugjatëve Nuseirat, duke liruar robërit.

Noa Argamani, 26 vjeç, Almog Meir Jan, 22 vjeç, Andrei Kozlov, 27 vjeç dhe Shlomi Ziv, 41 vjeç, të cilët u rrëmbyen nga festivali i muzikës Nova më 7 tetor, janë kthyer në Izrael.

Ushtria izraelite ka vlerësuar se më pak se 100 njerëz vdiqën në operacion.

Por shifrat e fundit nga ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza, nëse konfirmohen, do ta bëjnë atë një nga ditët më vdekjeprurëse të konfliktit deri më tani.

Njerëzit që jetojnë në zonën me popullsi të dendur kanë përshkruar terrorin e të qënit nën bombardime intensive dhe të shtëna me armë zjarri.

Abdel Salam Darwish tha për BBC se ishte në një treg duke blerë perime kur dëgjoi avionë luftarakë nga lart dhe zhurmën e armëve.

“Më pas, trupat e njerëzve ishin copë-copë, të shpërndara nëpër rrugë dhe gjaku i njolloi muret”, tha ai.

Kthimi i pengjeve në familjet e tyre ka ndezur festime në Izrael dhe liderët botërorë, përfshirë presidentin amerikan Joe Biden, e kanë mirëpritur lajmin për lirimin e tyre.

Por ka pasur kritika në rritje për koston vdekjeprurëse të operacionit brenda Gazës, me shefin e Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, duke thënë se ai e dënoi atë “me termat më të fortë”.

“Raportet nga Gaza për një tjetër masakër të civilëve janë të tmerrshme,” shkroi ai në X.

Një ministër izraelit tha se në vend që të dënonte Hamasin për fshehjen pas civilëve, BE-ja e kishte dënuar Izraelin për shpëtimin e qytetarëve të tij.