Aplikacion
Ilir Meta ka reaguar sërish nga burgu pas njoftimit të SPAK për mbylljen e hetimeve.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka deklaruar se kjo ishte një lëvizje e paralajmëruar që sipas tij vjen me urdhër të kryeministrit Edi Rama.
“Fill pas farsës elektorale, siç edhe e prisja, m’u komunikua me urdhër të Edi Ramës marrja si i pandehur”, shkruan Meta, duke shtuar se kjo është pjesë e një skenari politik për ta goditur atë dhe Partinë e Lirisë.
Meta ka hedhur poshtë akuzat, duke i quajtur ato një “fletërrufe pa asnjë provë penale” dhe ka shprehur bindjen se gjyqi do të provojë pafajësinë e tij. Ai e cilësoi këtë proces si një “Ramaformë të fabrikuar prej vitesh” që, sipas tij, do të “shkrihet si akullorja në kulmin e vapës”.
Ish-Presidenti gjithashtu theksoi se kjo betejë do ta bëjë Partinë e Lirisë “më të fortë se kurrë më parë”, duke e cilësuar atë si mbrojtëse të kauzave me rëndësi jetike për interesin kombëtar.
Hetimet ndaj Metës dhe Kryemadhit kanë nisur në dhjetor të vitit 2019, ndërkohë që SPAK pritet të përgatisë aktakuzën për dërgimin e çështjes në gjykatë.