zoom

Politikë

Meta kundër Gjykatës Kushtetuese: Fshehën pyetjet e zgjedhjeve vendore për Komisionin e Venecias

Ashtu siç paralajmëroi më herët ka nisur konferenca për shtyp e presidentit të Republikës, Ilir Meta.

Ky i fundit ndër të tjera, në nisje të fjalës së tij u shpreh kundër Gjykatës Kushtetuese, me argumentin e fshehjes së pyetjeve të zgjedhjeve vendore, për Komisionin e Venecias.

Meta u ndal te vendimi i Gjykatës Kushteuese për të rrëzuar kërkesën për zgjedhjet e 30 qershorit.

“Unë ju kam thënë që u qëndroj premtimeve, pres vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ndaj edhe nuk u nxitova menjëherë kur GJK dha vendimin e saj, apo mosvendimin e saj sepse kam dashur të kem një informacion sa më të plotë për gjithçka ka ndodhur. Prandaj lidhur me zgjedhjet, kur prisnin që GJK përmes një vendimarrjeje t’i  rikthente popullit shqiptar vullnetin e tij. Përkundër kësaj pritshmërie të lartë do të duhet të kishte një vendim përfundimtar nga gjykata për zgjedhjet e 30 qershorit. Kjo gjykatë nuk mori asnjë përgjegjësi. Në 4 dhjetor vendosi të rrëzojë kërkesën e shoqatës së bashkive. Gjykata e la këtë çështje pa njës zgjidhje përfundimtare. Me vendimmarrjen e saj gjykata nuk pati vullnet ta zgjidhte këtë çështje përmes juridiksionit kushtetues, por ia la atij politik”, deklaroi Meta.

Kreu i shtetit theksoi se në Gjykatën Kushtetuese nuk është hedhur shorti për caktimin e relatorit të çështjes.

“Nuk është hedhur shorti për caktimin e relatorit të çështjes. Në dosjen që kem në dispozicion nuk ka asnjë procesverbal që të dokumentojë hedhjen e shortit. Është e paqartë si ka ndodhur kjo”, deklaroi Meta.