Aplikacion
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për liderin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Meta, i arrestuar në tetor të vitit të kaluar, përballet me akuza që lidhen me përdorimin e mundshëm të fondeve nga biznesmeni Ardian Shatku përmes një karte bankare, në emër të bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, për shpenzime jashtë vendit.
Pas seancës gjyqësore, avokati i Metës, Kujtim Cakrani, deklaroi për mediat se klienti i tij po mbahet në burg për arsye politike.
“Ilir Meta është i bindur se ndodhet në qeli për arsye politike. Janë tejkaluar të gjitha kufijtë nga organi i akuzës”, u shpreh Cakrani.
Ai shtoi gjithashtu se Meta “nuk ka pasur asnjë dijeni për përdorimin e kartës bankare nga zonja Kryemadhi.”
Meta dhe mbrojtja e tij kanë kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë me një masë më të lehtë, por kërkesa u refuzua nga trupa gjykuese./ Zoom.al