zoom

Politikë

Meta: Dorëheqja e Ramës, veprim i detyruar dhe i pashmangshëm

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka bërë thirrje për largimin e Kryeministrit Rama nga qeveria, duke e cilësuar dorëheqjen e tij si një veprim të detyruar dhe të pashmangshëm.

“Dorëheqja e Edi Ramës është një veprim i detyruar dhe i pashmangshëm. Niveli i inkriminimit, kompromentimit dhe korruptimit të postit të Kryeministrit është skandaloz dhe i paimagjinueshëm”, shkruan Meta në një reagim në rrjetet sociale, pas akuzave penale ndaj ish-zyrtarit të FBI Charles McGonigal dhe lidhjeve të këtij të fundit me kryeministrin Edi Rama.

“Edi Rama nëpërmjet korruptimit është përpjekur të përdorë marrëdhëniet dhe komunikimin me zyrtarë të lartë të SHBA-së për të goditur opozitën, për të zhbërë shtetin ligjor dhe për të siguruar fitime korruptive për veten dhe bashkëpunëtorët e tij. Edi Rama është i provuar botërisht se me paratë e korrupsionit ka financuar trafikun e influencës dhe ka shfrytëzuar postin e tij për të mbajtur në mënyrë të paligjshme dhe mafioze pushtetin,”- shprehet ai.