zoom

Aktualitet

Mesazhi i fortë i SHBA-së për Shqipërinë: Të luftojmë kriminelët

Mesazhi i fortë i SHBA-së për Shqipërinë: Të luftojmë kriminelët

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë riafirmuar mbështetjen për bashkëpunimin me Shqipërinë në fushën e zbatimit të ligjit dhe luftës kundër krimit të organizuar.

Në një njoftim zyrtar, Ambasada e SHBA bëri të ditur se Mark Tervakoski, drejtor për Europën dhe Azinë në Byronë e Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit pranë Departamentit Amerikan të Shtetit, zhvilloi takime me Presidentin e Republikës, përfaqësues të SPAK, drejtues të Policisë së Shtetit, si edhe aktorë të tjerë të sistemit të drejtësisë, shoqërisë civile dhe misioneve ndërkombëtare në vend.

Sipas njoftimit, në qendër të bisedimeve ishte forcimi i partneritetit mes dy vendeve në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe trafikimit të narkotikëve. Pala amerikane theksoi angazhimin për të ofruar ekspertizë, mjete dhe bashkëpunim për institucionet që merren me zbatimin e ligjit, si në Shqipëri ashtu edhe më gjerë.

Në deklaratë nënvizohet se bashkëpunimi synon të mbështesë institucionet që ndajnë të njëjtin objektiv për goditjen e rrjeteve kriminale që, sipas SHBA, cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe stabilitetin kombëtar.

“Duke shfaqur forcën e partneritetit në fushën e zbatimit të ligjit mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe luftën e palodhur të administratës Trump kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe trafikimit të narkotikëve, Drejtori i Zyrës për Europën dhe Azinë i Byrosë së Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit të Departamentit të Shtetit, Mark Tervakoski, u takua me përfaqësues të zbatimit të ligjit, drejtësisë, shoqërisë civile dhe misioneve ndërkombëtare në Shqipëri.

Shtetet e Bashkuara janë të përqendruara në ofrimin e aftësive, mjeteve dhe bashkëpunimit në Shqipëri dhe në rang global për partnerët që ndajnë angazhimin tonë për të luftuar kriminelët që dëmtojnë qytetarët e vendeve tona, kërcënojnë kufijtë tanë dhe cenojnë sigurinë tonë kombëtare”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane./ Zoom.al

Postime të lidhura