Aplikacion
Një shpërthim me lëndë plasëse ka tronditur zonën e Xhafzotajt në Durrës, ku objektiv ka qenë banesa e Altin Ballës, vëllait të Fadil alias Julian Ballës. Ngjarja ka shkaktuar dëme materiale, ndërsa fatmirësisht nuk ka persona të lënduar.
Sipas të dhënave paraprake, lënda plasëse ishte vendosur në pjesën e jashtme të banesës dhe shpërthimi ka dëmtuar portën e oborrit. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur gjatë fundjavës, por është bërë e ditur vetëm pas verifikimeve të para hetimore.
Policia ka nisur hetimet për identifikimin e autorëve, ndërsa po shqyrton disa pista për motivin e sulmit. Një nga dyshimet kryesore është se shpërthimi mund të ketë qenë një paralajmërim apo mesazh kërcënues ndaj familjes Balla.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se po verifikohet edhe mundësia që objektivi i sulmit të mos ketë qenë Altin Balla, por vëllai i tij, Julian Balla, pasi banesat e tyre ndodhen pranë njëra-tjetrës.
Julian Balla është person në kërkim nga SPAK, pasi ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” në kuadër të hetimeve për një grup kriminal të dyshuar të drejtuar nga Franc Çopja dhe Ervis Çela.
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, grupi dyshohet se është përfshirë në trafik ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës. Në dosjen hetimore përmendet se bëhet fjalë për rreth 28 tonë kokainë në dy episode të ndryshme, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e sasisë është sekuestruar nga autoritetet.
Hetuesit dyshojnë se droga sigurohej nga burime në Amerikën Latine, magazinohej në Paraguai dhe më pas fshihej në ngarkesa tregtare që transportoheshin drejt porteve europiane, kryesisht në Belgjikë dhe Gjermani.
Emri i Julian Ballës është lidhur edhe me aktivitetin në fushën e biznesit dhe sportit. Ai ka qenë ish-president i klubit të futbollit Erzeni dhe rezulton pronar i kompleksit turistik “Ajman Park” në Xhafzotaj, si dhe i vilës “Elysian” në Dhërmi. Këto pasuri janë sekuestruar nga SPAK në kuadër të hetimeve pasurore.
Ndërkohë, grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave të shpërthimit, përcaktimin e autorëve dhe lidhjen e mundshme të ngjarjes me konflikte apo çështje të tjera të hetuara më herët.