Aplikacion
Aktivisti shqiptar Baki Goxhaj, i cili ishte pjesë e Flotiljes Globale pro Palestinës, ka mbërritur në Shqipëri pas ngjarjeve të tensionuara në Izrael, ku sipas tij dhjetëra aktivistë u përballën me dhunë dhe trajtim të ashpër nga autoritetet izraelite. Në një lidhje për emisionin “Shqipëria Live”, Goxhaj tregoi momentet që përjetoi gjatë ndalimit.
Ai deklaroi se një prej aktivistëve në anijen ku ndodhej ishte plagosur me armë zjarri në këmbë dhe më pas ishte larguar për trajtim mjekësor.
Sipas tij, pas mbërritjes në port, autoritetet izraelite i nxorën me forcë nga anija. Goxhaj tha se ishte ndër të fundit që u largua dhe pretendon se është dhunuar fizikisht nga disa persona njëkohësisht.
“Na trajtuan me forcë dhe nuk na lejonin as të ngrinim kokën apo të shikonim anash. Kishte aktivistë që thërrisnin ‘Free Palestine’ dhe më pas përballeshin me dhunë”, u shpreh ai gjatë intervistës.
Aktivisti shqiptar tregoi gjithashtu se grupi iu nënshtrua procedurave të marrjes në pyetje nga autoritetet izraelite, ku sipas tij pyetjet lidheshin me arsyen e pjesëmarrjes në flotilje dhe akuzat për shkelje të ligjit izraelit.
Sipas Goxhajt, në këtë nismë morën pjesë mbi 400 aktivistë nga më shumë se 50 shtete të botës, ndërsa flotilja përbëhej nga rreth 60 anije.
I pyetur nëse do të merrte pjesë sërish në një mision të tillë, ai u shpreh se nuk është trembur nga ajo që ka përjetuar dhe se një rikthim mbetet i mundur edhe në të ardhmen.
“Një nga anëtarët e anijes sime e qëlluan me armë në këmbë dhe pas një plage të madhe, u detyruan ta merrnin që ta mjekonin gjatë natës. Pas dy ditësh mbërritëm në port dhe na nxorën në mënyrë të dhunshme nga anija.
Mua më mbajtën të fundit dhe bënë të njëjtën gjë duke më rrahur në grup, njëjtë si të tjerët më parë. Më pas na çuan në tendë, ku siç duket në video është i pranishëm edhe ministri. Unë isha aty i lidhur me ballin tonë dhe e pashë me sytë e mi ministrin dhe isha dëshmitar i dhunës.
Ai foli hebraisht, nuk e kuptuam, por kishte thirrje “Free Palestine” dhe ata që e bënë u rrahën. Nuk na lejohej të shikonim anash apo të ngrinim kokën dhe na thoshin të qëndrojmë vetëm drejt. Nuk u ndjeva i rrezikuar për jetën, por ata nëse ndjehen të rrezikuan, qëllojnë. Nuk e bëjnë të madhe.
Kaluam një procedurë regjistrimi, ku kishte kamera. Nuk pati dhunë ndaj nesh, por kur kalonin ushtria apo policia, ishin më pak të sjellshëm. Dhamë arsyet pse ishim aty dhe një nga pyetjet ishte: “Pse përpiqesh të thyesh ligjin izraelit?” U përgjigja: “Ne nuk përpiqemi të thyejmë ligjin. Rrethimi i Gazës është i paligjshëm dhe është e drejta jonë të përpiqemi ta ndryshojmë. Jemi në të drejtën tonë për t’i dhënë fund gjenocidit në Gaza”, tha ai./ Zoom.al