zoom

Aktualitet

“Më kërkuan kazmë e lopatë”/ Dëshmi tronditëse në gjyqin për zhdukjen e Jan Prengës

“Më kërkuan kazmë e lopatë”/ Dëshmi tronditëse në gjyqin për zhdukjen e Jan Prengës

Në seancën e fundit gjyqësore ndaj të pandehurve Dritan Rexhepi, Gentian Doçi Funiqi dhe të tjerëve, për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës, dëshmoi ish-kopshtari i “Golden Resort” në Shijak, Festim Bexhdili.

Ai rrëfeu se ishte dëshmitar kur në resort mbërritën katër persona të armatosur me një “Range Rover” të bardhë, të cilët e detyruan nën kërcënimin e armëve të ndihmonte në zhvendosjen e një trupi pa jetë, që sipas tyre ishte në makinë. Trupi u vendos në një “Fiat Doblo” të kompleksit.

Sipas Bexhdilit, pak minuta më vonë, në vendngjarje mbërriti Altin Hajri, i cili reagoi ashpër ndaj tyre dhe u kërkoi të largoheshin menjëherë, duke i akuzuar se po sillnin probleme.

Altin Hajri është një nga personat kyç të përfshirë në çështjen e rrëmbimit dhe zhdukjes së Jan Prengës. Ai është pronari i kompleksit “Golden Resort” në Shijak, vendi ku dyshohet se është mbajtur dhe zhvendosur trupi i pajetë i Prengës pas rrëmbimit.

Më pas, shtoi Bexhdili, personat e armatosur kërkuan edhe një kazmë me një lopatë, pa sqaruar arsyen.

Bexhdili tha se, nga frika, ua dha dhe më pas u largua për në shtëpinë e tij në Kavajë.

Festim Bexhdili është një ish-punonjës (kopshtar) i kompleksit “Golden Resort” në Shijak, i përfshirë si dëshmitar dhe i akuzuar në çështjen e rrëmbimit dhe zhdukjes së Jan Prengës në janar të vitit 2020.

Bexhdili është arrestuar dhe u dënua fillimisht me burgim të përjetshëm për përfshirje në këtë ngjarje të rëndë, por më pas Gjykata e Lartë prishi vendimin dhe çështja ndaj tij është në proces rigjykimi. Ai ka qenë një dëshmitar kyç, pasi dëshmia e tij hedh dritë mbi detajet e asaj që ndodhi brenda resortit pas rrëmbimit të Prengës.

Pjesë nga dëshmia e Festim Bexhdilit:

Po merresha me pastrimin e pishinës, kur papritur mbërriti një makinë “Range Rover” e bardhë dhe u fut në garazh. U afrova për të parë kush ishin. Brenda ishin katër persona të panjohur për mua, të cilët mbanin armë. Më kërkuan ujë për të pirë dhe ua solla, edhe pse ndihesha nën presion dhe i pasigurt.

Njëri prej tyre më tha se kishin në mjet një të vdekur dhe duhej ta ndihmoja për ta zhvendosur trupin nga automjeti i tyre në një tjetër. Nga frika dhe tronditja, pranova. Trupin e vendosëm në një “Fiat Doblo” që zakonisht e përdorim për nevojat e kompleksit.
Nuk mbaj mend mirë pamjen e tyre, megjithëse nuk ishin të maskuar. Njëri kishte tatuazhe të dukshme. Nga mënyra si flisnin, dukej sikur ishin nga veriu i vendit. Pas pak minutash, aty erdhi Altin Hajri.

Ai reagoi me zemërim, i qortoi dhe u tha që po sillnin telashe. U kërkoi të largoheshin menjëherë. Nuk kam dijeni se çfarë bëri më tej.

Më vonë, më kërkuan edhe një kazmë me një lopatë. Nuk shpjeguan arsyen pse. Ia dhashë dhe i morën me vete në makinë. Pas largimit të tyre, u nisa drejt shtëpisë time në Kavajë.

Postime të lidhura