Aplikacion
Sot në GJKKO ka dëshmuar për herë të parë Dritan Rexhepi, i konsideruar si një nga figurat më të fuqishme të trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës.
Ai përballet me akuza të rënda, si porositës i rrëmbimit dhe vrasjes së Jan Prengës, ngjarje që ndodhi më 17 janar 2020 në Kamëz, pranë banesës së viktimës.
Sipas Prokurorisë, krimi lidhet me një konflikt brenda grupeve kriminale, pasi vëllai i Jan Prengës, Astrit Prenga, dyshohet se kishte përvetësuar rreth 60 kilogramë kokainë në Angli dhe nuk kishte dorëzuar paratë. Kjo mendohet se çoi në hakmarrje ndaj familjes së tij.
Gjatë dëshmisë, Rexhepi ka mohuar përfshirjen në këtë ngjarje, duke u distancuar nga akuzat. Ai u arrestua në Turqi në nëntor 2023 dhe u ekstradua në Shqipëri në janar 2024.
Pjesë nga dëshmia e tij:
Prokurori Behar Dibra: Në fund të 2019 ku ndodheshit?
Dritan Rexhepi: Isha në burg në Ekuador. Isha i burgosur me 13 vite për trafik droge. Kisha 5 vite e 4 muaj që vuaja burgun.
Dibra: A kishit kontakte me jashtë?
Rexhepi: Po me kabinë burgu.
Prokurori: Po me persona të tjerë?
Rexhepi: Jo nuk ishte e mundur.
Prokurori: Me kë kishit kontakte në burg, ndonjë shqiptar?
Rexhepi: Me një shqiptar nga Kosova, nuk ia mbaj mend emrin.
Prokurori: Ku keni qenë më përpara se të burgoseshit?
Rexhepi: Nëpër botë.
Prokurori: Me kë u arrestuat?
Rexhepi: U akuzuan 10 persona. Remzi Azemi nga Kosova doli i pafajshëm.
Prokurori: Gentjan Funiqi, të kujton gjë ky emër?
Rexhepi: Vetm nëpër media e kam dëgjuar. Kurrë në jetë s’kam pasur me të njohje.
Prokurori: Martin Dedja dhe Korado Gështenja i njeh?
Rexhepi: Jo.
Prokurori: Në atë kohë ke bashkëpunuar me të tjerë për të kryer aktivitet droge kur ndodheshit në Ekuador?
Rexhepi: Jo.
Prokurori: A ke marrë dijeni për një kontejner me drogë që u kap?
Rexhepi: E mësova pasi e pashë nga mediat në Shqipëri. E kam dëgjuar nga familjarët e mi që në Shqipëri akuzoheshin për një ngarkesë që është kapur në Angli. Në atë kohë mora dijeni për një person që ishte rrëmbyer dhe ishte marë peng. Nëpërmjet familjarëve kërkova të merrja vesh. Më thanë që kishte përgjime të Dritan Rexhepit me vëllain e të humburit. Ku janë këto përgjime? Nuk jam unë aty. Më është nxirë faqja ka 5 vite.
Ju keni hipur trenin e gabuar dhe doni të shkoni ku doni vetë.
Nuk jam unë personi që kam folur me ata dhe s’jam unë ai person për ato që keni shkruar në dosje.
Ndodhesha në burg dhe fola me një gazetar dhe i kam thënë që nuk jam unë ai person që kam urdhëruar rrëmbimin e Jani Prengës. Kam folur me Artan Hoxhën. I kam dhënë disa foto dhe i kam thënë publikoji. Gazetari ishte takuar me kunatin tim në Prokurorinë e Tiranës rastësisht dhe aty kanë biseduar se çfarë po ndodh kështu.
Avokatja e Rexhepit: Meqë gazetari është në sallë, kërkojmë që të thirret si dëshmitar.
Prokuroria: Për ne nuk është e çmuar të thirret si dëshmitar. Nëse ai do, mund të dalë nga salla.
Gjykata vendos që Artan Hoxha të largohet nga salla për fazën që po pyetet Dritan Rexhepi.
Rexhepi: Problemi im ishte vetëm hasmëria, pasi unë po përflitesha. Aty thuhej Gramozi nga Vlora. Nuk jan unë ai person. Ju duhet të pyesni veten. Pse është lidhur emri Gramoz dhe Dritan Rexhepi?
Prokurori: Sa emra ke pasur?
Rexhepi: Deri në moshën 13 vjeç më quanin Gramoz, më pas të gjithë më thërrisnin Dritan. As sot nuk jam i martuar. Kam pasur një marrëdhënie 12 vjeçare me një ekuadorjane dhe me të kam dy djem.
Prokurori: Pasi folët me gazetarin, çfarë ndodhi më pas?
Rexhepi: Jo nuk e njihja se kisha takuar asnjëherë. Edhe më vonë nuk kam pasur më komunikim me asnjë gazetar.
Prokurori: Po për Ndrek Prenga a keni dëgjuar, është vëllai i Jan Prengës. Apo për vëllain tjetër të tij, Astrit Prenga?
Rexhepi: Jo, në asnjë rrethanë.
Prokurori: Artan Doçajn e ke dëgjuar Aldo Manjishta?
Rexhepi: Jo, nuk i njoh, nuk mi ka prezantuar njeri.
Prokurori: Po një person me emrin Doda të është prezantuar njeri?
Rexhepi: Jo.
Prokurori: A keni pasur telefon në burg?
Rexhepi: Nuk hynin në punë telefonat aty se s’punonin antenat.
Prokuroria: A keni përdorur telefona të tjerë përveç kabinës dhe keni biseduar në SkyECC?
Rexhepi: Jo.
Prokuroria: A keni kontaktuar me persona të tjerë lidhur me ngjarjen?
Rexhepi: Me asnjë.
Prokuroria: Në komunikimin me familjen a u keni dërguar dokumente nga ndonjë aparat celular? Jeni i sigurt?
Rexhepi: Jo, s’iu kam dërguar. Jam shumë i sigurt.
Prokuroria: A keni komunikuar në ambientet e burgut me ndonjë person lidhur me ngjarjen?
Rexhepi: Nuk më kujtohet.
Prokuroria: A keni kërkuar që çështja të hetohet në një Prokurori tjetër dhe jo nga Prokuroria e Posaçme?
Rexhepi: Jo.
Prokuroria: Po ndonjë person që përdorte pseudonimin ‘Arusha’ ju kujtohet?
Rexhepi: Jo.
Prokuroria: Ju thatë që keni komunikuar me gazetarin dhe i dhatë foto që të thoshit që nuk ishit ju Gramozi nga Vlora. A përmendet ndonjë nga Shkodra këtu?
Rexhepi: Nuk kisha njohje me dikë nga Shkodra.
Prokuroria: Emri Altin Hajri a është emër i njohur për ju?
Rexhepi: Jo, nuk më thotë gjë ky emër.
Rexhepi: Dëshiroj të bëhet paraqitja për njohje me vëllain e viktimës./ Zoom.al