Aplikacion
SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim dosjen e Ilir Metës.
Sipas njoftimit, të pandehur veç Metës, janë edhe ish-bashkëshortja Monika Kryemadhi, nëna e kësaj të fundit, Fatime Kryemadhi, Pirro Xhixho dhe Ema Çoku.
Ilir Meta akuzohet për korrupsion pasiv në tre raste, pastrim parash dhe mosdeklarim/falsifikim të pasurisë.
Hetimi për ta ka nisur që në vitin 2019 dhe është zgjeruar me prova e kallëzime të tjera gjatë viteve. Në vitin 2024, të gjitha çështjet e ndara u bashkuan në një dosje të vetme.
Sipas SPAK, hetimet kanë zbuluar skema korrupsioni dhe përfitime të paligjshme. përdorim të pushtetit politik për favore ndaj bizneseve, pastrim parash nëpërmjet transaksioneve të ndryshme dhe fshehje dhe mosdeklarim të pasurive.
Dosja tani do të shqyrtohet nga Gjykata e Posaçme, ku pritet të fillojë procesi gjyqësor ndaj të akuzuarve.
Njoftimi i plotë:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pas përfundimit të hetimeve, më 29.08.2025 ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, procedimin penal nr. 55/2019, në ngarkim të të pandehurve:
Ilir Meta, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë” në 3 raste, dy prej të cilave të kryera në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim,“Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga nenet 260 dhe 25, 287/2 dhe 257/a/2 të Kodit Penal.
Monika Kryemadhi, e akuzuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë” në dy raste të kryera në bashkëpunim,“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim , “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga nenet 260 dhe 25, 287/2 dhe 257/a/2 të Kodit Penal.
Pirro Xhixho, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 260 dhe 25 të Kodit Penal.
Ema Çoku, e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal.
Fatime Kryemadhi, e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal.
Ky procedim penal është rezultat i një hetimi intensiv, i cili ka nisur në vitin 2019 dhe është zgjeruar në vitet pasardhëse në bazë të kallëzimeve të ndryshme. Në vitin 2024, të gjitha procedimet e veçuara u bashkuan në një të vetëm.
Hetimet zbuluan një sërë skemash korruptive, përdorimin e influencës dhe pushtetit politik me qëllim favorizimin e bizneseve të caktuara kundrejt shpërblimit të marrë apo të premtuar, pastrim të produkteve të veprës penale, dhe fshehje të pasurive apo mosdeklarimi i shpenzimeve të konsiderueshme në deklaratat periodike të pasurive.
Episodet e dokumentuara tregojnë subjektet e procedimit, të cilët në bashkëpunim mes tyre janë përfshirë në kryerjen e veprave penale të përmendura më sipër. Episode të detajuara në lidhje me akuzat e ngritura dhe faktet penale të kryera nga të pandehurit, mund ti gjeni në Njoftimin për Shtyp, i publikuar në faqen zyrtare të SPAK: NJOFTIM PËR SHTYP Datë 21.10.2024 – spak.gov.al