Aplikacion
Dy ditë më parë, rreth orës 13:35, fare pranë rrethrrotullimit të Saukut do të shpërthente si pasojë e një sasie eksplozivi të vendosur në të, mjeti me të cilin po udhëtonte 27-vjeçari Aleksandër Sadikaj; i riu që mbeti viktimë e atentatit mafioz.
Të tjera detaje janë zbuluar lidhur me ngjarjen kriminale që tronditi vendin. Pas një kontrolli të imtësishëm në banesën e tij në Tiranë (një apartament në rrugën “Irfan Tomini”), policia gjeti drogë, plumba pistolete, sende të tjera të paligjshme dhe ndër të tjera edhe një jelek antiplumb.
Zoom.al mëson se jeleku ishte i llojit PC14 AK-47, që bën të mundur mbrojtjen nga kallashnikovi, çka tregon se viktima po i ruhej dikujt.
Një jelek i tillë, që kap shifrën 736 dollarë nuk përmban pllaka qeramike, çfarë nënkupton se është më pak i dukshëm se antiplumbi i zakonshëm.

I prodhuar në Suedi, ai përmban pllaka të blinduara me bërthamë çeliku, jashtëzakonisht të holla, si përpara, ashtu dhe mbrapa. Të gjitha këto dëshmojnë se Aleksandër Sadikaj ishte në dijeni të një rreziku që i kanosej, shto këtu edhe gjetjen e një arme pistoletë në vendngjarje. Sipas hetuesve dyshohet se 27-vjeçari po udhëtonte me armë në brez, e cila i ra pas daljes nga makina.
Aktualisht policia po heton në dy pista kryesore: e shkuara e tij kriminale e konfliktuale dhe një prishje e mundshme e pazareve të drogës./ Zoom.al