Aplikacion
Nën drejtimin e kryeministrit dhe kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, Kryesia e PS zhvilloi një mbledhje që zgjati rreth 30 minuta, ku në fokus ishte organizimi i strukturave të partisë dhe nisja e takimeve në terren me elektoratin.
Gjatë mbledhjes nuk u vendos një datë për mbajtjen e Asamblesë Kombëtare. Mësohet se Rama ka kërkuar angazhim më të madh në bazë, si dhe zhvillimin e zgjedhjeve në strukturat e degëve të Partisë Socialiste.
Në takim ishte e pranishme edhe Belinda Balluku, të cilën Rama e shkarkoi nga posti i zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë. SPAK ka kërkuar autorizim për arrestimin e saj, pasi ajo është vënë zyrtarisht nën akuzë për abuzime me tenderat.
Mbledhja e Kryesisë vjen pak ditë pas ndryshimeve të thella në qeveri, të njoftuara më 26 shkurt, si dhe pas takimit të një dite më parë mes Ramës dhe Presidentit Bajram Begaj në Pallatin e Brigadave, ku kreu i qeverisë dorëzoi për dekretim shkarkimet dhe emërimet e reja në kabinet.
Sipas procedurës kushtetuese, Presidenti ka 7 ditë afat për dekretimin e ndryshimeve, të cilat më pas kalojnë për votim në Kuvend, ku nevojiten 71 vota për miratim. Pas votëbesimit, ministrat e rinj betohen para Kreut të Shtetit për të marrë detyrën.
Në kuadër të rokadës, Rama ka propozuar zëvendësimin e Ballukut me Albana Koçiu. Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë pritet ta drejtojë Enea Karakaçi.
Në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali zëvendësohet nga diplomati Ferit Hoxha.
Toni Gogu merr drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë në vend të Besfort Lamallari, i cili kalon në krye të Ministrisë së Brendshme.
Deputetja Erjona Ismaili do të drejtojë Ministrinë për Marrëdhëniet me Parlamentin, ndërsa pjesë e ndryshimeve është edhe zëvendësimi i ministrit të Mbrojtjes Pirro Vengu me Ermal Nufi, aktualisht zëvendëssekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë.
ARRSH hap tenderin 5.24 milionë euro për lidhjen e Unazës Verilindore me Rrugën e Arbërit