Aplikacion
Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) po zhvillohet këtë të martë seanca e parë gjyqësore ndaj Erion Veliaj.
Procesi gjyqësor nisi pasi dosja u veçua, për shkak se disa prej të pandehurve kërkuan gjykim të shkurtuar, kërkesë që u pranua nga gjykata.
Seanca po ndiqet edhe nga përfaqësues të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, ndërsa në sallë ndodhet Erida Skëndaj në cilësinë e monitorueses së procesit.
Zhvillimi i seancës vjen një ditë pasi Gjykata Kushtetuese vendosi që Gjykata e Lartë të rishqyrtojë kërkesën e Veliajt për lirim nga qelia. Kushtetuesja kërkoi që Gjykata e Lartë të argumentojë pse masa “arrest me burg” konsiderohet e domosdoshme dhe pse nuk mund të zbatohen masa më të lehta sigurie, duke marrë në konsideratë edhe funksionin e tij publik.
Më herët, më 25 shtator 2025, Veliaj fitoi në Gjykatën Kushtetuese çështjen që lidhej me procedurën për shkarkimin e tij nga detyra, e nisur nga kryeministri Edi Rama.
Veliaj mbahet në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025, kur u arrestua nga SPAK nën dyshimet për korrupsion dhe pastrim parash. Hetimet përfshijnë edhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, çifti dyshohet se ka përfituar rreth 1 milion euro përmes një skeme korruptive, para që sipas hetimeve janë përdorur për shpenzime luksi dhe blerje online. Veliaj i ka kundërshtuar akuzat dhe është deklaruar i pafajshëm.
Ish-deputetja dhe gruaja e zvministrit të Ramës denoncon arrestimet e protestueseve