Aplikacion
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar përmes rrjeteve sociale një takimi me Matthew Whitaker, Ambasadorin e SHBA në NATO, një takim që tejkalon kornizat e një vizite kortezie. Me Samitin e NATO-s që pritet të mbajë Tiranën në qendër të vëmendjes ushtarake botërore vitin e ardhshëm, pyetja që shtrohet në korridoret e politikës është, a shënon ky takim një afrimitet në marrëdhëniet e ngurta mes Tiranës dhe Uashingtonit?
Postimi i Ramës konfirmon se Shqipëria do të jetë mikpritëse e Samitit të NATO-s në vitin 2026, një arritje diplomatike që përkon me një fazë të re të administratës amerikane.
“Shqipëria do të bëhet pikëtakimi i aleancës më të madhe ushtarake të botës,” shkruan Rama, duke nënvizuar partneritetin ushtarak si prioritet. Por, prania e Whitaker, ish-Prokuror i Përgjithshëm i SHBA-së dhe një figurë me peshë pranë Donald Trump, tregon se Uashingtoni po e sheh Tiranën jo vetëm si aleat ushtarak, por si një pikë strategjike ku kërkohet stabilitet dhe besnikëri e palëkundur.
Përzgjedhja e Whitaker për të diskutuar marrëdhëniet diplomatike dhe ushtarake nuk është e rastësishme. Ai përfaqëson krahun e “vijës së ashpër” dhe pragmatiste të Uashingtonit.
Si ish-jurist i lartë, prania e tij mund të lexohet edhe si një sinjal për ecurinë e reformave në drejtësi dhe luftën ndaj korrupsionit, pika ku SHBA ka qenë gjithmonë “gardiani” i Tiranës.
Diskutimi për “lidhjen e ngushtë” nënvizon se pavarësisht ndryshimeve të administratës në SHBA, Shqipëria mbetet një spirancë në Ballkanin Perëndimor.
Dyshimet nëse SHBA do të jetë më dorështrënguar apo më kërkuese ndaj qeverisë shqiptare mbeten në tryezë. Kohët e fundit, administrata amerikane ka kërkuar luftë pa kompromis ndaj karteleve të drogës, ndaj korrupsionit, si dhe një hapje më të madhe ndaj kapitaleve amerikane, përfshirë projektet në energji dhe infrastrukturë. Rama do të duhet të balancojë kërkesat e reja të administratës amerikane me realitetin e brendshëm politik. Përndryshe, diplomacia amerikane po flet si rrallë herë me veprime dhe jo me deklarata./ Zoom.al
