zoom

Bota

Masakra e Moskës, shkon në 143 numri i të vrarëve! Dalin fotot e 4 terroristëve të dyshuar

Rritet edhe më shumë bilanci i viktimave nga sulmi terrorist i të premtes në Rusi. Natën e kaluar, persona të armatosur hapën zjarr mbi turmat në një sallë koncertesh në Krasnogorsk në rajonin e Moskës, duke vrarë të paktën 143 dhe duke plagosur më shumë se 140.

“Në vendin e sulmit terrorist në sallën e koncerteve Crocus City Hall, kur shërbimet e urgjencës po pastronin rrënojat, u gjetën më shumë trupa të të vdekurve”, tha komiteti hetues i Rusisë. Më parë, numri i viktimave u deklarua 115 persona, por grupet e shpëtimit vijuan të gjenin trupa nën rrënoja.

Guvernatori i rajonit të Moskës thotë se pret që numri i të vdekurve të rritet, pasi punonjësit e shpëtimit vazhdojnë të lëvizin rrënojat në vendngjarje.

“Shpëtimtarët po punojnë në skenën e tragjedisë në Crocus. Ata po vazhdojnë të pastrojnë rrënojat dhe të kërkojnë njerëz. 719 specialistë dhe 213 pajisje janë të përfshirë… 20 trupa të tjerë janë gjetur nën rrënoja. Puna do të vazhdojë edhe për të paktën disa ditë”, thuhet në deklaratë.

Deri tani ka 11 të arrestuar. Sipas mediave, emrat e autorëve të dyshuar janë: Nasridinov Makhmadrasul, 37 vjeç, Ismonov Rivozhidin, 51 vjeç, Safolzoda Shokhinjonn, 21 vjeç dhe Nazarov Rustam, 29 vjeç. Makina, në të cilën udhëtonin katër të dyshuarit për sulmin në auditorin e rajonit të Moskës, u gjet në distriktin Karaçi, rajoni Bryansk. Këtë e ka konfirmuar deputeti rus Alexander Khinshtein, sipas të cilit makina nuk është ndalur kur policia ka tentuar ta ndalojë të arratiset.

Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë, por FSB thotë se të dyshuarit kishin kontakte me Ukrainën dhe po përpiqeshin të iknin nga kufiri. /ZOOM.AL/