Aplikacion
Çfarë po ndodh me çmimin e naftës dhe përse në Shqipëri ari i zi është më i shtrenjti në Europë? Opozita renditi 3 arsye, një prej të cilave kontrabanda, që sipas shifrave të dhëna prej tij është në nivele alarmante: plot 350 mijë tonë, nga 600 mijë që konsumon Shqipëria në vit.
Nga Zoom.al
TIRANË – Ndërsa shumë shtete kanë ndërmarrë masa për të ulur çmimin e naftës, që ka parë rekorde të reja nga lufta në Iran, në Shqipëri qytetarët po shohin se si qeveria i braktisi sërish, njësoj si në kohën e luftës në Ukrainë.
Bë pikat e pakicës në vend, nafta po shitet me mbi 214 lekë për litër, duke shënuar rritjen më të lartë që nga fillimi i konfliktit në Lindjen e Mesme.
Në këtë situatë kaosi, ish-kryeministri Sali Berisha ka lëshuar një akuzë të rëndë. “Në Shqipëri hyjnë 350 mijë tonë naftë kontrabandë”, tha ai. Kjo është një ndër 3 arsyet e dhëna prej tij. Dy të tjerat janë ngarkesa fiskale nga 65 % dhe depozitat e naftës, ku taksat u faturohen shqiptarëve.
Për të kuptuar përmasat e asaj që deklaron Berisha me kontrabandën, mjafton të shohim statistikat zyrtare të konsumit të naftës në Shqipëri.
Kontrabanda sa gjysma e konsumit kombëtar
Konsumi vjetor i Shqipërisë është mesatarisht 550,000 – 600,000 tonë naftë në vit.
Me një konsum të tillë vjetor, zhdukja e 350 mijë tonëve nga radarët e shtetit do të thotë një humbje prej qindra milionë eurosh në vit vetëm nga ckciza dhe TVSH-ja.
Nëse shifra e denoncuar nga Berisha është e saktë, rezulton që mbi 60% e naftës që digjet në Shqipëri hyn pa paguar asnjë detyrim në arkën e shtetit. Kjo do të thotë se, portet dhe doganat janë praktikisht inekzistente përballë asaj që mund të quhet pa dyshim si “mafia e karburanteve”.
Sasia prej 350 mijë tonësh që hyn pa paguar taksa e akcizës, shitet me po me çmimin prej 214 lekë për litër, një prej më të lartëve në të gjithë Europën, duke krijuar fitime marramendëse që nuk përkthehen në taksa që shkojnë për infrastrukturën, spitalet apo arsimin, por në xhepat e kontrabandistëve.
Në kushtet kur lufta në Iran mund ta çojë naftën në nivele edhe më të larta, ky denoncim kërkon një hetim urgjent nga SPAK se kush e kryen këtë kontrabandë dhe si mund të hyjë në Shqipëri një sasi kaq e madhe karburanti pa u vënë re nga autoritetet.
Efektet e luftës në Iran
Lufta në Iran ka shkaktuar mbylljen parciale të Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalon 20% e furnizimit botëror me naftë.
Në bursa, çmimi ka kërcyer me mbi 15% brenda javës së fundit të marsit.
Qeveria ka njoftuar ngritjen e një Task-Force për kontrollet në treg, por ekspertët paralajmërojnë se nëse konflikti në Iran përshkallëzohet, nafta në Tiranë mund të kalojë pragun kritik prej 230-250 lekësh. Kryeministri Rama tha se do të ndërhyjë për të ulur akcizën me 20% vetëm nëse çmimi kalon 220 lekë për litër. Vende të tjera si Greqia, Italia, Kosova, Maqedonia e Veriut etj kanë marrë ndërkohë masa për të ulur efektet e krizës dhe për të ndihmuar industrinë, bizneset dhe qytetarët.
Dhimbja e kokës nga dielli i fortë, pse ndodh dhe si ta lehtësoni gjatë ditëve të nxehta