Aplikacion
Në të njëjtën ditë, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), duke reaguar për kontrollin e zhvilluar në Manzë, ndërmori hapin e parë të distancimit publik ndaj grupit që është kundër regjimit iranian.
“SHBA nuk e sheh MEK-un si një lëvizje të qëndrueshme demokratike që përfaqëson popullin iranian. Departamenti i Shtetit ka shqetësime serioze për organizatën e MEK, përfshirë edhe akuzat për abuzime të kryera kundër anëtarëve të saj. Qeveria e SHBA nuk ofron asnjë trajnim ose mbështetje për MEK, nuk kontribuon me fonde dhe nuk mban kontakte thelbësore përveç çështjeve që kanë të bëjnë me zhvendosjen e MEK, gjë e cila është përfunduar në vitin 2016”, deklaroi DASH.
Pozicionin e ri të SHBA në raport me MEK e sqaroi më shumë një deklaratë e bërë sot nga ambasadorja amerikane Yuri Kim, në fjalimin e saj të lamtumirës nga Tirana. E pyetur “a duhet të prishë marrëveshjen për MEK qeveria shqiptare”, ajo u përgjigj duke lënë të kuptohet se Shqipëria mund edhe të vendoste t’i largonte anëtarët e MEK nga kampi i Manzës.
“Ky është një vendim që duhet ta marrë qeveria shqiptare. Një gjë është shumë e qartë, ne mbështesim të drejtat e Shqipërisë për të zbatuar ligjet e saj në vendin e saj. Ka rregulla të caktuara që zbatohen për miqtë në vendin tuaj dhe këto duhet të respektohen prej tyre”, tha ambasadorja.
Kontrolli në kampin e Manzës u krye pas një urdhëri të Gjykatës së Posaçme, e cila pranoi një kërkesë të SPAK që po heton për aktivitete kibernetike të paligjshme nga anëtarët e kampit. Disa kompjutera u sekuestruan, ndërsa muxhahedinët tentuan të djegin një sërë dokumentash teksa po pengonin me forcë policinë që të bënte sekuestrimin e materialeve të dyshimta.
Skenat tronditëse nga Ashfrat III u shfaqën edhe në mediat botërore. Një burrë 65 -vjeçar i identifikuar si Ali Mostashari, një prej drejtuesve të MEK, humbi jetë. MEK akuzoi policinë se e vrau atë, por Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku mohuan që të ketë pasur viktima nga ndërhyrja policore.
Ka pak gjasë që zhvillimet të jenë rastësore.
“Dy zhvillimet e veçanta për MEK-un, një grup iranianësh që kanë luftuar kundër qeverisë së Ajatollahut për dekada, ndodhën brenda disa orësh nga njëri-tjetri dhe ngritën pikëpyetje serioze nëse ndikimi i Teheranit po rikonfirmohej edhe një herë pas muajsh protestash që kanë vënë në vështirësi qeverinë e re krijuar vitin e shkuar”, shkruan gazeta britanike The Telegraph.
Në deklaratën e vet, Departamenti Amerikan i Shtetit nuk ofroi asnjë tregues se besonte se kishte ndonjë lidhje midis bastisjes së policisë dhe lobimit nga qeveria e Iranit.
Sipas The Telegraph, “DASH sqaroi se qeveria e Shqipërisë kishte shpjeguar se bastisja ishte rezultat i një urdhri gjykate dhe dukej se pranonte fjalën e qeverisë shqiptare nëse të gjitha ligjet ishin zbatuar dhe nëse të drejtat e të përfshirëve ishin mbështetur. Deklarata u qortua ashpër nga anëtarët e NCRI, (opozitës iraniane me seli në Paris dhe SHBA -shënim i Zoom.al), raporton gazeta britanike.
Zyrtarët e krahut politik të MEK kërkuan që SHBA dhe Kombet e Bashkuara, të cilat organizuan krijimin e strehës humanitare të grupit në Shqipëri, të denoncojnë bastisjen dhe të fajësojnë autoritetet shqiptare për kryerjen e “vrasjes” së z. Mostashari, i cili si një anëtar i lartë i MEK-ut ata tha se ka qenë prej kohësh një objektiv i Teheranit. Por SHBA mbajti tërëisht një qëndrim tjetër.
The Telegraph pati këtë raportim në përpjekjen për të hedhur dritë nëse zhvillimet ishin apo jo rastësore.
“Disa mbështetës të grupit opozitar iranian denoncuan shpejt bastisjen dhe anulimin e tubimit të NCRI’s dhe sugjeruan se lidhjet mes tyre ishin të dukshme.
“Të shqetësuar se në të gjithë Evropën – dhe veçanërisht tani, Franca dhe Shqipëria – aleatët tanë po qetësojnë regjimin iranian dhe po godasin disidentët kundër regjimit. Sipas raportimeve, Biden (administrata) po i mbështet këto politika pro-regjimit, ndërkohë që nxit drejtpërdrejt regjimin duke i dërguar Ajatollahut qindra miliarda dollarë dhe duke nxitur lirimin e terroristëve. Goditjet dhe zbutja do të inkurajojnë dhe do t’i mundësojnë regjimit iranian të kryejë më shumë terrorizëm global. Ato përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e amerikanëve”, shkroi senatori Ted Cruz.
“Parisi ndalon një takim të opozitës iraniane në të njëjtën ditë kur policia shqiptare bastis kampin e opozitës iraniane Ashraf 3. Kjo nuk është rastësi, por nënshtrim ndaj mullahëve iranianë. E papranueshme”, shkroi Els Ampe, një anëtar i Senatit të Belgjikës.
Ishte një lëvizje që grupi e denoncoi se presidenti francez Emmanuel Macron po i nënshtrohet presionit nga një regjim autoritar.
“Me regjimin e pamëshirshëm të Iranit që është në rënie, Franca ka nxituar sërish në shpëtim”, thuhej në një deklaratë të ashpër nga Ali Safavi, një anëtar i këshillit të punëve të jashtme të NCRI. “Ajo i inkurajon mullahët mesjetarë në përdorimin e tyre të vazhdueshëm të shantazhit dhe marrjes së pengjeve për të manipuluar lëshimet nga homologët e tyre perëndimorë.”
Përse ndryshoi qëndrim SHBA për MEK?
Tre ditë më parë, më 18 qershor, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu zbuloi publikisht se mes SHBA dhe Iranit po kryheshin negociata të reja për programin bërthamor të Teheranit. Ai tha se ishte kundër çdo marrëveshje të përkohshme, ndërsa dha detaje edhe se çfarë përfshinte marrëveshja.
“Po arrihet mirëkuptim midis Uashingtonit dhe Teheranit që do të kërkonin të frenonin disi programin bërthamor të Iranit, në këmbim të disa lehtësimit të sanksioneve”, deklaroi ai për mediat izraelite.
Shtetet e Bashkuara kanë mohuar publikisht çdo marrëveshje të tillë, por Netanyahu tha se e kishte informuar Uashingtonin se Tel Avivi ishte në dijeni dhe se ishte kundër.
Më 17 qershor, një ligjvënës i lartë izraelit tha se Izraeli mund të gjente një mirëkuptim të pranueshëm midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara nëse përfshin mbikëqyrje rigoroze të programit bërthamor të Teheranit.
“Kjo nuk është një marrëveshje me shtrirje të gjerë. Është më shumë si një marrëveshje e vogël, një memorandum mirëkuptimi…dhe unë mendoj se Izraeli mund të jetojë me këtë nëse ka mbikëqyrje të vërtetë,” tha Yuli Edelstein, kreu i Komisionit të Punëve të Jashtme dhe Mbrojtjes të parlamentit izraelit. .
“Zyrtarët izraelitë besojnë se tashmë janë arritur disa mirëkuptime për kufizimin e pasurimit dhe se disa fonde tashmë janë shkrirë. Zyrtarët folën në kushte anonimiteti sepse po diskutonin një vlerësim diplomatik konfidencial”, raportoi Zëri i Amerikës për këtë çështje.
Faqja e lajmeve izraelite Walla javën e kaluar raportoi se sipas marrëveshjes në zhvillim, Irani do të kufizonte pasurimin e uraniumit në 60% në këmbim të lehtësimit të sanksioneve. Faqja tha gjithashtu se palët po diskutonin për lirimin reciprok të të burgosurve.
A është MEK pjesë e marrëveshjes?
Zyrtarët e lartë të MEK dhe NCRI e thane hapur gjatë zhvillimeve të djeshme në Manzë të Durrësit dhe në Paris, se SHBA, Franca dhe perëndimi po negocionin me regjimin e mullahëve në Teheran dhe se po i mbështesnin ata në një moment kritik ku janë gati për t’u rrëzuar nga pushteti për shkak të protestive opozitare që kanë përfshirë gjithë vendin.
Kontrolli në Manzë dhe anulimi i tubimit në Paris, sipas tyre, ishin pjesë e negociatave. Ndërsa reagimi i DASH nuk u lë më vend spekulimeve se SHBA nuk i sheh më NCRI dhe MEK si bashkëpunëtorë të besueshëm edhe pse deklarata nuk lë vend për spekulime në lidhje më një ndryshim kursi ndaj Teheranit.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller tha javën e kaluar “nuk ka asnjë marrëveshje” mes SHBA dhe Iranit, duke shtuar se raportet ishin të pavërteta.
Por faqja e lajmeve Izraelite, Walla, tha se Netanyahu kishte zbuluar detaje të marrëveshjes në një takim të fundit të komitetit parlamentar. Izraeli duket aq i bindur, saqë thotë se nuk përjashton veprimet ushtarake për të penguar Iranin të prodhojë një armë bërthamore.
Disa ekspertë të çështjeve ndërkombëtare vlerësojnë se nëse ka një marrëveshje të tillë mes Uashingtonit e Teheranit, ajo ka në fokus ndalimin e ndihmës së Iranit ndaj Rusisë, në konfliktin ushtarak me Ukrainën. /Zoom.al
“Të duaaa”/ Ola Bruko feston ditëlindjen, urimi i Endri Priftit merr të gjithë vëmendjen