zoom

In Zoom

Letër nga vrasësi i Sabrinës! Fajin e ka babai i saj dhe policia

Ishte e premte e javës së shkuar, kur Sabrina Bengaj po konsumonte darkën. Sapo ishte kthyer nga puna. Pak minuta më vonë, 23-vjeçarja do të humbte jetën si pasojë e 7 plumbave. Vrasësi ishte ish-bashkëshorti, 31-vjeçari Elton Metaj, me të cilin kishte një fëmijë.

Në kohën kur opinioni publik zien (editoriale, emisione, hapësirë mediatike dedikuar ndodhisë, protesta), autori i krimit vendos të shkruajë një letër, një letër që siç vetë ai shprehet ka për qëllim të sqarojë publikun.

Midis rreshtash, Metaj tenton të shfajësohet duke thënë se e gjitha erdhi si pasojë e ngarkesës emocionale prej kërcënimeve të ish-vjehrrit.

”Armën e shkrepa unë, por vrasjen e bëri ai”, shkruan 31-vjeçari.

Po kështu, autori i krimit ndan një detaj tepër shqetësues.

“Ish-vjehrri filloi me kërcënimet. Duke e njohur atë i mora seriozisht. Kam shkuar në Polici dhe oficeri i policisë, Eugeni më tha se nuk ka kohë, hajde pas 2-3 ditësh.”

Jo pak herë, viktima të dhunës kanë denoncuar raste të indiferencës policore dhe mungesës së seriozitetit. Denoncimeve për kërcënime, shantazh apo dhunë duket se nuk u vihet veshi aq sa duhet. Rreshtat në fjalë të letrës duhen shqyrtuar dhe vërtetuar, e nëse rezultojnë të sakta, kushdo ka të drejtën të mendojë se kushedi, Sabrina mund të ishte duke jetuar, nëse gjërat do ishin bërë siç duhej.

Një tjetër pikë shqetësuese është shkaku final, “katalizatori” që e shtyu 31-vjeçarin të tërhiqte këmbëzën.

“Pasi hyra në banesë, ish-bashkëshortja po fliste në “Skype” me të dashurin. Shkrepa armën që më doli nga kontrolli dhe mësova se Sabrina kishte ndërruar jetë”, shkruan ai.

Në 9 muajt e fundit, 16 gra shqiptare u vranë nga partnerët e tyre. Arsyeja? Xhelozi, mosmarrëveshje, konsiderim i gruas si pronë personale. Shkurtimisht, fabula thuajse e njejtë: Ti nuk ndahesh dot nga unë, përndryshe…!

”Më mirë e ndame se e vrame”, shkruhej në një nga pankartat e djeshme të protestës në Tiranë, në kohën kur në vendin tonë rrezikon seriozisht të vritesh edhe kur një ish, ish-grua, ish-e dashur…

Lexoni më poshtë letrën e plotë:

“Unë Elton Meta dua të sqaroj opinionin publik se çfarë ka ndodhur përsa i përket veprimit tim. Jam liruar nga spitali i Zaharisë më datë 26 korrik, një ditë më pas jam takuar me ish-bashkëshorten time. Më datë 1 gusht, Sabrina merr leje nga puna dhe kemi ndenjur bashkë, kemi kryer marrëdhënie seksuale.

E shoqëroja në punë, por gjithmonë ruhej nga babai i saj që të mos e kuptonte se ne i kishim rregulluar muhabetet. Mamaja, vëllai dhe kunata e saj ishin në dijeni të bashkimit tonë.

Kur u ktheva nga Greqia, pashë që gjërat kishin ndryshuar. Ish-vjehrri filloi me kërcënimet. Duke e njohur atë i mora seriozisht. Kam shkuar në Polici dhe oficeri i policisë, Eugeni më tha se nuk ka kohë, hajde pas 2-3 ditësh. Sabrina më tha se babai e ka marrë vesh dhe do na zhdukte të dyve.

Ish-vjehrri më shkruajti sërish në “Messenger” dhe më la takim e më tha “do të të zhduk”. Pasi hyra në banesë, ish-bashkëshortja po fliste në “Skype” me të dashurin.

Shkrepa armën që më doli nga kontrolli dhe mësova se Sabrina kishte ndërruar jetë. Për sa më sipër jam fajtor për aktin, por dua të sqarohen të gjithë se çfarë kam deklaruar. Unë kam shkrepur armën, por vrasjen e ka bërë babai i saj”.