zoom

Lajme

“Kur Shqipëria kishte nevojë, unë isha aty” – Eros Grezda shpërthen në kritika

Eros Grezda ka shpërthyer në kritika ndaj Kombëtares Shqiptare.

Sulmuesi shqiptar, gjatë një interviste për “Koha.net”, shprehu zhgënjimin e tij për mënyrën si është trajtuar dhe aktivizuar me Kombëtaren.

Ai ka luajtur 13 ndeshje dhe ka shënuar një gol për Shqipërinë, duke treguar gatishmërinë e tij. Por Eros Grezda u shpreh i zhgënjyer për faktin se me Shqipërinë nuk u paraqit në ndonjë ngjarje të madhe.

“Do të doja të isha pjesë e një Evropiani, por për fat të keq nuk isha. Shqipëria ishte ëndrra ime. Kur mora ftesë Kosova nuk ishte e pranuar dhe pranova direkt. Kur Shqipëria ma kishte nevojën, unë kam qenë gjithmonë aty, por unë kisha nevojë për Shqipërinë, nuk është se më ka ndihmuar. Edhe sporti i ka këto padrejtësi”, u shpreh Eros Grezda.

Eros Grezda ka vendosur të bëjë një pushim nga futbolli për shkak të problemeve të shumta shëndetësore me të cilat është përballur dhe operacioneve që ka kaluar.

Ai tregoi se nuk është i kënaqur me ecurinë e tij shëndetësore dhe për këtë arsye ka vendosur për një shkëputje të përkohshme.

“Këto vitet e fundit me problemet shëndetësore që kam kaluar, kam qenë shumë keq. Kam tentuar të kthehem disa herë. Nuk jam i kënaqur me progresin ku mund të arrij dhe vendosa njëherë të pushoj.

Kam pasur katër operime të ligamenteve në nyja të këmbëve. Dy herë në Kroaci më kanë operuar gabim. Ka qenë momenti më kritik i karrierës sime. Operimin e parë e kam pasur pak para se të kaloja në Rangers, pastaj lëndimin e kam pasur në Rangers, në përgatitje në janar. Pastaj jam bërë imun në injeksione dhe në Kroaci dy herë jam operuar. Kurse herën e katërt në Barcelonë”, tha Grezda.