zoom

Sport

Lajm i keq për Sylvinho dhe Kombëtaren, Inzaghi s’e lejon, Asllani do mungojë

Lajm i keq për Sylvinho dhe Kombëtaren, Inzaghi s’e lejon, Asllani do mungojë

Për fatin e keq, në momentin e tij më të mirë, Kristjan Asllani “parkon” në infermieri. Të gjithë prisnin që mesfushori kuqezi të ishte titullar në sfidën që Inter zhvilloi kundër Fronisones, por në mënyrë befasuese, Asllani nuk ishte as në pankinë.

Klubi zikaltër me anë të një njoftimi për mediat, saktësoi se Asllani ka lodhje të muskujve në kofshën e djathtë. Kjo është një goditje e fortë mbi të gjitha për trajnerin Sylvinho, pasi sipas të gjithë gjasave, Asllani nuk do të jetë i pranishëm për dy sfidat e fundit në kualifikueset “Euro2024”, kjo nëse i referohemi edhe deklaratës së trajnerit Simone Inzaghi pas ndeshjes:

“Asllani do të kthehet pas pauzës së Kombëtareve”, u shpreh Inzaghi. Gjendja e mesfushorit do të monitorohet në vazhdimësi, por në këto kushte duket e pamundur që të jetë në fushë kundër Moldavisë, sfidë ku Shqipëria kërkon të zyrtarizojë biletën për në Evropian. Me Sylvinho-n në stol, në 5 nga 6 ndeshjet në Grupin E, Asllani është aktivizuar titullar.