zoom

Lajme

La Repubblica: Rama telefonoi i tërbuar drejtorin e RAI 3, pas reportazhit për marrëveshjen…

Reportazhi investigues i emisionit “Report” të RAI 3 në Itali zgjoi jo pak indinjatë në Shqipëri, vendin fqinj dhe më gjerë, teksa çmontonte kulisat se si u arrit marrëveshja e emigrantëve Rama-Meloni dhe se kush qëndronte pas saj.

Hije të forta dyshimi për fryrje të kostove, me qëllim edhe përfshirjen e mafias në benefite, por edhe emrin e sekretarit të Kryeministrisë shqiptare, krahut të djathtë të kryeministrit Edi Rama, Engjëll Agaçi, si ndërmjetësi i realizimit të projektit dhe në fund marrëveshjes.

E jo vetëm kaq, pasi investigimi përmendtte edhe vëllanë e kryeministrit për çështjen e drogës së Xibrakës dhe mbështetjes ndaj grupeve kriminale apo ato të korrupsionit, të muajve të fundit.

Dhe ky reportazh investigues nuk është pritur mirë nga selia kryeministrore.

Ka qenë prestigjiozja italiane, “La Repubblica”, e cila ka zbuluar në një shkrim se kryeministri Edi Rama, pas reportazhit investigues të televizionit publik italian RAI, ka kontaktuar drejtorin e televizionit. Në një shkrim për drejtorin e RAI-t, Paolo Corsini, gazeta shkruan se “sikur të mos mjaftonin hallet e tjera që kishte, dje është detyruar të dëgjonte kryeministrin e tërbuar shqiptar në telefon”.

“Dje, pavarësisht se kishte shumë për të menduar, ai duhej të dëgjonte edhe kryeministrin shqiptar Edi Rama, i cili u tërbua për episodin e Report për paktin mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët”, shkruan e përditëshmja italiane ndër të tjera.

I publikuar mbrëmjen e së dielës, reportazhi i emisionit Report në “Rai 3” ka bërë shumë bujë në Itali dhe Shqipëri, pasi tha se marrëveshja për refugjatët mes Shqipërisë dhe Italisë është hartuar për interesa të errëta.

Ndër të tjera në reportazh, thuhej se personi kyç pas kësaj marrëveshje është Engjëll Agaçi, “njeriu që ka shërbyer si avokat i bosëve të rëndësishëm të krimit”. Po ashtu, raportohej se krimi ka arritur në nivele të larta të qeverisë shqiptare, madje edhe vetë vëllai i Edi Ramës, Olsi është i implikuar me kartelet e drogës.

Edhe opozita shqiptare reagoi fortë pas reportazhit, duke rikujtuar edhe njëherë çështjet që ajo ka trajtuar dhe denoncuar prej kohësh.

Ish-kryeministri Sali Berisha, i intervistuar nga emisioni, teksa u shpreh se çështja ndaj tij është politike, theksoi se ishte kundër marrëveshjes për emigrantët pasi ishte antikushtetuese dhe shkelte të drejtat e njeriut. Kurse kreu i grupit të Rithemelimit të PD, Gazment Bardhi, kujtoi edhe një herë gamën e korrupsionit dhe tentakulat e mafias që kanë depërtuar deri në Qeveri. /ZOOM.AL/