zoom

Aktualitet

Ky është autori i atentatit në “Don Bosko”, Policia ofron 5 mijë euro për informatorin (DETAJET)

Policia e Tiranës konfirmon identifikimin e atentatorit në sulmin e armatosur të “Don Boskos” dy ditë më parë, ku u qëllua me plumba makina e dy vëllezërve në lëvizje.

Ai është Andrea Bregasi, 31 vjeç, banues në kryeqytet, për të cilin më herët u raportua se sapo kishte dalë nga burgu. Motivet mbeten të paqarta, por besohet për një sherr të mbartur, ose konflikte të çastit mes palëve.

Policia ka ofruar edhe një shpërblim prej 5 mijë eurosh për informatorin që tregon në anonimitet vendndodhjen e të dyshuarit.

“Lidhur me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, më datë 14.12.2023, rreth orës 06:50, në rrugën “Don Bosko”, ku një person që lëvizte i vetëm në këmbë, ka qëlluar disa herë me armë zjarri pistoletë në drejtim të automjetit “Benz”, me drejtues shtetasin R. Z., dhe pasagjerë shtetasit R. Z., dhe R. Z., ju informojmë se:

Strukturat e DVP Tiranë, Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 3, pas kryerjes së veprimeve të thelluara hetimore, dhe informacioneve të marra nga inteligjenca policore, bënë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasi Andrea Bregasi, i ditëlindjes 09.12.1992, banues në Tiranë”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Policia ftoi gjithashtu qytetarët që “të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 5000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autorit”.

Gjithashtu Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vendos në dispozicion të qytetarëve, numrin e telefonit 0694111546, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi. /A.Q./