zoom

Aktualitet

Kush ishte Aleksandër Sadikaj? Nga divorci i prindërve te bizneset e paligjshme

Lidhur me ngjarjen e ditës së sotme në Tiranë, ku një makinë shpërtheu nga eksplozivi dhe për pasojë humbi jetën shoferi 27-vjeçari, policia është fokusuar te dy pista: ajo e së shkuarës kriminale të të riut Aleksandër Sadikaj dhe mundësia e prishjes së pazareve të drogës. Ka dyshime nga hetimet paraprake se kanë qenë dy autorë, të cilët kanë kryer atentatin.

Prej moshës 20-vjeçare ai ishte marrë me biznese të paligjshme dhe jetonte midis Shqipërisë dhe Greqisë.

Sadikaj kishte lindur në Berat dhe ishte rritur me prindër të divorcuar. Ai njihej si “Aleksi i Memaliajt”, aty ku kishte dhe një fermë turistike.

I ndjeri po udhëtonte drejt Tiranës kur ndërroi jetë. Sipas të dhënave, autorët kanë qenë duke e vëzhguar viktimën, por makina nuk ishte e tij. Mjeti Golf 7, ishte i regjistruar në emrin e Petrit Osmanit.

Sadikaj nuk ishte i panjohur për policinë, pasi rezulton person me precedentë të narkotikës, vjedhjes dhe tentativës për vrasje, por nuk ishte në kërkim.

Historiku i akuzave të Sadikajt:

٠Më 09.04.2011 është arrestuar në Berat, pasi, së bashku me një person tjetër kanë tentuar të vjedhin në subjektin AlbTelecom-Berat;

٠Më 30.04.2011 është shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Vlorë, pasi Gjykata e Vlorës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim;

٠Më 31.05.2017 është shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr.2 Tiranë, pasi Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”. Më 23.08.2018, Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 8 muaj burgim, për këtë vepër;

٠Më 29.05.2017 është shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr.2 Tiranë për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”;

٠Më 09.07.2019 është shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Sarandë, pasi në bashkëpunim me një shtetas tjetër, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë plagosur me thikë shtetasin A. D., duke i shkaktuar dëmtime serioze në trup. Më datë 30.07.2019, për këtë ngjarje, Gjykata e Sarandës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë./Zoom.al