zoom

Ide & Blog

Kush ia tërheq tirandat kryeministrit?

E paimagjinueshme rezistenca e një pjese të Kuvendit të Shqipërisë për të dalë me një rezolutë të përbashkët për sulmin terrorist në veri të Kosovës në 24 shtator.

Nyja gordiane ku ngec grupi parlamentar socialist, nën hijen e rëndë të decibelit kryeministror është mos përcaktimi i origjinës serbe të sulmit terrorist dhe mospranimi i një hetimi ndërkombëtar, duke ia lënë drejtësisë serbe këtë tagër.

Nuk ka ngecur këtu as politika e Kosovës, as opozita e saj, nuk ka ngecur as Uashington e as Bruksel, nuk është penguar as Maqedonia e Veriut e as Mali i Zi, as ndonjë vend tjetër rajoni.

Veç grupi parlamentar socialist i Shqipërisë nën hyqmin e Kryeministrit. Veç ai arrin të izolohet në kokëfortësinë e mos dënimit të sulmit terrorist serb dhe dasinë e rrezikshme për interesin kombëtar. Kam pyetur edhe në program publikisht, pse kjo ngasje e pashmangshme e pushtetit në Shqipëri për të kryer një nga aktet më të shëmtuara parlamentare, duke mos mbështetur rezolutën unanime të Parlamentit të Kosovës për të dënuar sulmin terrorist të Banjskës.

Fakti se policia e shërbimet inteligjente kosovare zbuluan e neutralizuan në kohë e me dëme minimale sulmin, nuk zhbën imazhin dhe idenë e një masakre të planifikuar mirë. Doni një aktualizim? Lexoni lajmet e raportimet mbi atë çarje kufiri mes Gazës e Izraelit, ku një grup terrorist hyri me armatim e masakroi të pafajshëm. Do duhej të prisnim këto skena, viktima e batërdira në Veri të Kosovës, që simfonia parlamentare socialiste t’i rebelohej dirigjentit skrupuloz Rama në pretendimin absurd se “Shqipërisë i duhet të jetë e balancuar si vend anëtar i NATO-s”? Se balancë as pati, as përdori e as nuk nguroi për mësymjen me armë të terroristëve ndaj Izraelit.

Nuk mban më ky argument, jo vetëm sepse anëtarë e koka të NATO-s kanë folur hapur tashmë, pa pikë balance, por sepse ajo që po ndodh mes Izraelit dhe Palestinës është një tambur, që po i bën kolonë zanore çdo konflikti mbi shtetformime lënë pezull nga axhenda të studiuara mirë e thellë.

Përfshi Kosovën, që me gjithë pavarësinë, njohjet e sovranitetin e saj duron edhe casus belli-n e fqinjit të tërbuar edhe “neutralitetin” (i thënçin) të të vetit. Nuk ka alibi për këtë sjellje të Tiranës zyrtare. Nuk ka! Nuk mban! Nuk ngjit!

U diskreditua. Edhe me dështimin e “Ballkanit të Hapur”, edhe me zbythjen e planit të shkëmbimit të territoreve, edhe me mospërfilljen për propozimin “gjenial”, por sekret për Asociacionin, edhe me refuzimet për mbledhje të përbashkëta, edhe me përballjen sharlataneske me strategjinë e suksesshme të politikës së Kosovës.

Atëherë cila është kjo axhendë, që e mban të kapur tirandash kryeministrin shqiptar? Kryeministrin e vendit pa ushtri, pa ekonomi, me GDP pa pikë takati, me kufij të çapëlyer, polici të dërrmuar?

Ende beson se mund të bindë ndërkombëtarë për fuqi stabilizuese në Ballkan??? Me gjasa as destabilizuese… çfarë mbetet është turpi historik në një çast me valencë të jashtëzakonshme kombëtare.

Kaq!