zoom

Kosova

Kurti refuzoi të ulej me Vuçiç, sot në Bruksel takimi mes Bislimit dhe Petkoviçit

Kurti refuzoi të ulej me Vuçiç, sot në Bruksel takimi mes Bislimit dhe Petkoviçit

Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, do takohen sot në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, paralajmëroi se në krye të agjendës së diskutimeve do të jetë zbatimi urgjent i Marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve.

Marrëveshja u arrit vitin e kaluar, por nuk u zbatua. Ajo, mes tjerash, i kërkon Kosovës t’i ofrojë një nivel vetëmenaxhimi komunitetit serb, ndërsa Serbisë të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Për zbatimin e saj, javën e kaluar në Bruksel u thirrën edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Por, Kurti nxori disa kërkesa për vazhdimin e dialogut – përfshirë nënshkrimin e marrëveshjes dhe dorëzimin e Millan Radoiçiçit – që Vuçiç nuk i pranoi.

Radoiçiq mori përgjegjësinë për organizimin e një sulmi të armatosur në Kosovë – shtatorin e kaluar – ku mbeti i vrarë një polic. Ai besohet se është i lirë në Serbi. Pritjet që Bislimi dhe Petkoviç të dakordohen për ndonjë gjë, nuk janë të mëdha, raporton media kosovare.

Disa raunde bisedimesh mes tyre për ndalimin e dinarit serb në Kosovë, përfunduan në maj pa ndonjë marrëveshje. Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është kusht për të dyja që të avancojnë në rrugën e integrimit evropian. /ZOOM.AL/

Postime të lidhura